Në botë u shënua një rritje rekord në numrin e rasteve me koronavirus, mëse 212.300 brenda 24 orëve, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India ishin vendet me rritjen më të madhe, thuhet në raportin e përditshëm të organizatës.

Rekordi i mëparshëm i raportuar ishte 189.000 në 28 qershor. Vdekjet vazhdojnë të jenë rreth 5,000 në ditë. Në të gjithë botën, tani ka afro 11 milion raste të konfirmuara, sipas organizatës.

Në SHBA, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve raportuan të shtunën një rritje prej 52,490 rastesh, duke e çuar në rreth 2.8 milion numrin e përgjithshëm.

Vdekjet u rritën me gati 750, duke arritur në gjithsej 129.400. SHBA vendosën të enjten një rekord të ri me më shumë se 55,000 infektime ditore.

Të shtunën shteti i Floridës raportoi një numër rekord të rasteve të reja të konfirmuara, rreth 11.500.

Edhe Teksasi raportoi rritjen më të madhe ditore me më shumë se 8.200, dhe numri i të shtruarve në spitale shënoi një rekord të ri.

Që nga e Premtja, i gjithë shteti i Teksasit është nën urdhërat e guvernatorit që njerëzit të mbajnë maska në publik. Përndryshe mund të dënohen me 250 dollarë gjobë./VOA