Rekord i ri me 711 të prekur në 1 ditë

Rritja e infektimeve nga covid nuk po ndalet. Pavarësisht kufizimit të lëvizjes dhe mbylljes së lokaleve pas orës 22:00, Shqipëria shënoi këtë të mërkurë një tjetër rekord, me 711 raste, 14 më shumë se një ditë më parë. Kurba e infeksionit vijon të rritet kështu prej javësh, në mënyrë të pandalshme, me Tiranën që zë vendin e parë.

Nga 2574 testime të kryera gjatë 24 oërve të fundit kanë rezultuar pozitivë 711 persona. Prej tyre 374 raste janë në Tiranë, e ndjekur nga Korça me 61 raste, Lezha me 44 raste dhe Elbasani me 41 raste.

Edhe numri i viktimave është në rritje. Nga raportimet e Ministrisë së Shëndetësisë, të mërkurën kanë humbur jetën 9 pacientë me Sars -Cov2. Një 60-vjeçar nga Librazhdi, një 63-vjeçar, një 65_vjeçar, një 70-vjeçar nga Tirana, një 63-vjeçar dhe një 79-vjeçar nga Shkodra, një 70-vjeçar nga Durrësi, një 75-vjeçar nga Korça dhe një 81-vjeçar nga Gjirokastra.

Vetëm këtë muaj kanë humbur jetën 137 persona dhe janë infektuar 8962 të tjerë. Edhe nëpër spitale, pacientët po shtohen. Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 420 pacientë, 15 në terapi intensive, nga të cilët 6 të intubuar. 14,975 persona janë të infektuar aktivë, shumica në Tiranë.

Policia është e ngarkuar t’i monitorojë që të mos dalin nga shtëpitë, por me këtë rritje, kontrolli është thuajse i pamundur, edhe sikur policia të angazhonte të gjithë forcat e saj prej mbi 10 mijë efektivësh. 412 të prekur u shëruan në 24 orët e fundit. Shifra i dedikohet edhe rregullit të ri për të mos kryer ritestime, por për të konsideruar të shëruar çdo të infektuar pas 14 ditësh, nëse nuk është i shtruar në spital.

Tv Klan