Ekspertët: Ndikim përhapja e Omicronit

Infektimet ditore në Britaninë e Madhe dalin jashtë çdo parashikimi. 24-orëshi i fundit shënoi mbi 87 mijë raste, rekordi i dytë radhazi për gjithë periudhën e pandemisë, gati 10 mijë më shumë se një ditë më parë. Rekordi i deri tanishëm ishte ai i 8 Janarit me rreth 68 mijë raste ditore.

Megjithatë, vaksinimi i ka ruajtur në nivele të ulëta shifrat e vdekjeve dhe shtrimet në terapinë intensive krahasuar me periudhën para vaksinimit. Ekspertët thonë se ndikim ka edhe përhapja e Omicronit.

Varianti i ri është shkaktar i 1 691 infektimeve ditore, por sipas tyre kjo shifër mund të jetë më e lartë pasi shumë prej rasteve me Omicron mbeten të pazbuluara.

Këtë javë, qeveria britanike nisi aplikimin e certifikatave të imunizimit në ambientet publike, duke e bërë Britaninë e Madhe ndër të fundit mes vendeve të mëdha të kontinentit që ndërmarrin këtë nismë. Kryeministri Johnson u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë grumbullimeve për festat e fundvitit.

Shifrat janë në rritje edhe në vendet perëndimore të Bashkimit Europian, ku spikat Italia me rekordin e ri që prej Marsit.

Tv Klan