Arrin në 13 milionë numri i të prekurve nga koronavirusi

Numri i të infektuarve ditorë nga Covid-19 shënoi një rekord absolut, në 24 orët e fundit. Mbi 230 mijë persona rezultuan pozitivë, duke thyer edhe rekordin tjetër të vendosur 10 Korrik.

Shifrat e larta ditore globale i kanë ushqyer bilancet e testimeve më të fundit në kontinentin amerikan, ku ritmet e përhapjes së koronavirusit vijojnë të jenë tepër të larta. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, ditët e fundit janë numëruar mbi 60 mijë të prekur ditorë. Shtetet e Bashkuara numërojnë mbi 3.4 milionë të prekur me një vdekshmëri 4%.

Megjithatë, numrin më të lartë të viktimave e ka rajoni i Europës ku përfshihen edhe vende jashtë kontinentit, si Rusia, Turqia, Kazakistani, etj, ku numërohen mbi 203 mijë viktima mes rreth 3 milionë të prekurve. Vdekshmëria në këtë rast arrin në 4.4%.

Sipas OBSH-së shtimi i numrit të infektimeve ditore në shkallë globale vjen edhe për faktin se shumica e qeverive botërore, tani kanë nisur të kryejnë testime masive të popullatës. Numri i të prekurve në gjithë globin kapërceu 13 milionëshin. Më shumë se gjysma e tyre janë shëruar.

Tv Klan