Kriza e tejzgjatur në terapinë intensive shton viktimat në Greqi

Turqia shënoi këtë 24-orësh një rekord të ri negativ me gati 50 mijë raste të reja infektimesh. Kurrë më parë nuk ishin regjistruar kaq shumë infektime ditore në këtë vend dhe kjo përbën shifrën më të lartë po t’i bashkëngjitet listës së shteteve europiane.

Qeveria turke po shqyrton mundësinë e aplikimit të masave shtesë për frenimin e përhapjes, krahas bllokadave kombëtare për ditët e fundjavave të Prillit dhe kufizimet e grumbullimeve për muajin e shenjtë të Ramazanit. Edhe viktimat shënuan nivelin më të lartë prej Janarit.

Vazhdon të jetë problematike situata në Greqi, ku shtrimet në terapinë intensive nuk po i ulin ritmet e frikshme. Numri i pacientëve në këto pavione ka arritur në 751, teksa kapacitetet shtetërore janë tejkaluar me kohë, që nuk arrijnë më shumë se 700.

Infektimet shënuan shifrën e dytë më të lartë për periudhën e pandemisë me gati 4 300 raste, ndërsa edhe numri i vdekjeve vazhdon të rritet me ritme të frikshme.

Pjesa tjetër e kontinentit vazhdon të shfaqë shenja reduktimi të shifrave. Brazili shfaqi këtë 24-orësh shifrën më të errët prej mbi 4 mijë raste të vdekjeve ditore, teksa i gjithë vendi është në krizë prej dyndjeve të pacientëve në terapinë intensive.

Tv Klan