Trump: Kemi arritur në kulmin e pandemisë

Mbi 1900 të vdekur brenda një dite nga koronavirusi është rekordi global që vendosën Shtetet e Bashkuara në 24 orët e fundit. Një shifër tepër e lartë që e çon numrin total të viktimave afro 13 mijë. I lartë është edhe numri i të infektuarve të rinj, që e ka çuar totalin e të prekurve në mbi 400 mijë.

Shifrat tregojnë se përhapja e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara vijon të përshpejtohet, në dallim nga një pjesë e vendeve europiane ku situata është e stabilizuar. Për presidentin amerikan Donald Trump, këto shifra tregojnë se epidemia ndodhet pranë kulmit dhe shumë shpejt, situata do të vihen nën kontroll. Ai njoftoi se javët e ardhshme, në spitalet ku kurohen pacientët me koronavirusi do të shtohen mbi 110 mijë aparatura që ndihmojnë në furnizimin me oksigjen të mushkërive.

Në 24 orët e fundit u shënuan 757 të vdekur edhe në Spanjë, një rritje e lehtë krahasim me një ditë më parë, por që megjithatë vijon të tregojë qëndrueshmëri. Spanja numëron në total mbi 14 mijë të vdekur, ndërsa të prekurit kanë arritur në afro 147 mijë.

Po bëhet rreth një javë që si Spanja ashtu dhe Italia po shfaqin shifra të qëndrueshme infektimesh që kanë tendencë rënieje nga dita në ditë, çka tregon se mjekët e kanë situatën nën kontroll.

Në Francë, mbi 40 ushtarë të aeroplanmbajtëses bërthamore Sharl de Gol u vunë nën mbikëqyrje të rreptë shëndetësore pasi shfaqën simptoma të ngjashme me koronavirusin. Ata po u nënshtrohen testeve. Mjekët thonë se përhapja e koronavirusit në Francë ende nuk mund të konsiderohet nën kontroll, pas më shumë se shifrave tepër të larta me mbi 1 mijë viktimave të tjera që u bënë publike në 24 orët e fundit. 

Ndërsa Uhani, vatra e pandemisë globale shënoi sot ditën e parë të heqjes së masave të rënda bllokuese 76 ditore kundër përhapjes së koronavirusit. Udhëtimet me qytetet e tjera u rikthyen dhe mbi 65 mijë persona kanë prerë bileta për t’u larguar. I gjithë globi numëron aktualisht mbi 83 mijë të vdekur e më shumë se 1.4 milionë të prekur.

Tv Klan