Britania e Madhe shënoi rekord prej 786 viktimash gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në total në mbi 6100 numrin e tyre. Mbi 3600 të infektuar të rinj u shënuan brenda të njëjtit afat kohor dhe tashmë në gjithë vendin numërohen mbi 55 mijë të prekur.

Kryeministri britanik Boris Johnson vijon të jetë në terapi intensive edhe pse gjendja e tij është e stabilizuar. Zyra e tij e shtypit tha se ai merr frymë pa ndihmën e aparatëve. Frenat e qeverisë i ka marrë në dorë përkohësisht ministri i Jashtëm Dominic Raab, i cili është njëkohësisht Sekretar i Parë i Shtetit.

Rekord ditor viktimash edhe në Francë, ku në 24 orët e fundit humbën jetën 1417 pacientë. Në total numri i të vdekurve ka kaluar 10 mijë. Shifër tepër e lartë edhe për të infektuarit ditorë që e kanë çuar totalin e tyre në afro 110 mijë. Autoritetet franceze thanë se shifrat më të fundit tregojnë se Franca nuk e ka arritur ende pikun, edhe pse në fundjavë u duk sikur situata nisi të stabilizohej.

Italia shënoi 604 të vdekur këtë 24-orësh duke e çuar në mbi 17 mijë numrin e përgjithshëm të tyre. Afro 4 mijë janë të infektuarit ditorë, duke e çuar totalin e të prekurve në mbi 135 mijë. Shifrat e përhapjes vijojnë të tregojnë se situata është e qëndrueshme. Shqetesuese është situata e bluzave të bardha në Itali.

Numri i mjekëve që kanë humbur jetën si pasojë e koronavirus ka shkuar në 94 dhe ai i infermierëve në 26. Pesë mjekë humbën jetën vetëm në 24 orët e fundit. Spanja vijon të mbetet vendi me i goditur nga koronavirusi. Numri i viktimave ka arritur në 13.798. Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 743 persona.

Spanja vijon të mbetet vendi më i goditur nga koronavirusi. Numri i viktimave ka arritur ne 13.798. Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 743 persona.

Mbi 12 mijë të vdekur, prej të cilëve 1403 në 24 orët e fundit dhe rreth 386 mijë të prekur nga koronavirus tregojnë jo vetëm një situatë dramatike në Shtetet e Bashkuara, por edhe faktin që piku i pandemisë duhet ende të vijë. Statistikat e autoriteteve shendetesore amerikane thonë se në Chicago, virusi ka prekur më së shumti komunitetin me ngjyrë.

Më shumë se 70 përqind e vdekjeve dhe rreth gjysma e të prekurve janë nga ky komunitet, pavarësisht se ata janë vetëm 30 përqind e popullsisë.

Lajme të mira vijnë nga Kina, ku për herë të parë që prej shpërthimit të pandemisë, të hënën nuk ka pasur asnjë viktimë dhe vetëm 32 të prekur me koronavirus. Edhe Wuhani ku nisi pandemia është hapur pas 76 ditësh në karantinë. Afro 1.4 milionë janë të prekurit prej fillimit të pandemisë dhe afro 80 mijë janë të vdekurit.

Tv Klan