Nisja e kompeticionit ka sjellë me vete arritje të reja nga përfaqësueset, por edhe nga lojtarët

Kampionati evropian sapo ka nisur e me vete ka sjellë rekorde të reja të vendosura.

Si fillim, Italia fitoi me 3 gola në takimin hapës, e kjo nuk kishte ndodhur kurrë në një evropian për të kaltrit.

Pastaj është radha e Goran Pandev, që me golin e shënuar ndaj Austrisë, i pari për Maqedoninë në një event të tillë madhor, bëhet lojtari i dytë më i vjetër që shënon në Evropian.

Pandev, 37 vjeç e 321 ditë, qëndron vetëm pas Ivica Vlashiç, 38 vjeç e 257 ditë, ish-lojtar i Austrisë.

Risitë vazhduan me Anglinë, e cila nuk fitonte kurrë në ndeshjen hapëse të Evropianit. Goli i Sterling theu tersin e anglezëve, duke i dhënë fitoren 1-0 ndaj Kroacisë.

Aktivizimi i Jude Bellingham e bën atë lojtarin më të ri të të gjitha kohërave që ka marrë pjesë në një finale të Kampionatit Europian, 17 vjeç e 349 ditë.

Gjithashtu, ai është anglezi më i ri që ka luajtur në një turne të një niveli të tillë ndërkombëtar.

Goli i dytë i Patrick Schick në fitoren e Çekisë në Skoci futet në librin e shifrave të Evropianit si goli i shënuar nga distanca më e lartë, 45.5 metra.

Takimi Holandë-Ukrainë është i pari në historinë e evropianëve ku shënohen 5 gola në pjesën e dytë të një takimi, pasi 45 minutat e para përfunduan 0-0.

Zvicra ka barazuar 4 takime radhazi në Evropian, duke barazuar rekordin e Portugalisë nga 2012 deri në 2016.

Romelu Lukaku është futbollisti i dytë belg që ka arritur të shënojë të paktën një gol në dy edicione të ndryshme të Evropianit.

Klan News