Vazhdon riatdhesimi, ndihmat dhe transporti i mallrave

Të gjitha fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës do të ndërpriten duke nisur prej ditës së hënë, me përjashtim të atyre që kanë si destinacion Stambollin me kompaninë ‘Air Albania’.

Sipas të dhënave të publikuara nga aeroporti i Rinasit, që prej nisjes së situatës së karantinimit të vendit për shkak të përhapjes së virusit Covid-19, numri i pasagjerëve ka rënë me 85%, ndërsa numri i fluturimeve me 80%, duke shënuar për herë të parë këtë rekord në rënien e fluksit të udhëtimeve në Shqipëri.

Megjithatë, aeroporti do të mbetet i hapur për transportin e mallrave, fluturimet humanitare dhe ato të riatdhesimit.

“Aeroporti mbetet i hapur për të gjitha fluturimet humanitare, fluturimet e riatdhesimit, fluturimet e ngarkesës së mallrave dhe çdo fluturim tjetër që i shërben lehtësimit dhe kapërcimit të kësaj sfide të madhe për të gjithë ne”, tha administrator  i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Constantin von Alvensleben.

Për shërbimet e pakta që kanë mbetur në aeroport, agjentët e sigurisë vazhdojnë kontrollin e pasagjerëve, ndërsa janë vendosur rregulla strikte që të respektohet distanca mes tyre.

Autoriteti i Aviacionit Civil ka njoftuar që prej datës 23 Mars ndalohen fluturimet me Gjermaninë, Austrinë, Zvicrën dhe Hungarinë deri në një njoftim të dytë, ndërsa kompania ‘Easy Jet’ njofton që edhe gjatë së dielës udhëtimi për në Gjenevë është anuluar, ndërsa ‘Transavia’ do të ndërpresë që nga dita e hënë udhëtimet drejt Francës deri më datë 19 Prill e drejt Halandës deri më 5 Prill.

Tv Klan