Debutim në Champions 16 vjeç e 18 ditë

Youssoufa Moukoko i Borussia Dortmund është futbollisti më i ri në moshë që debuton në Champions League. Talenti i verdhezinjve u aktivizua në minutën e 58-të në fitoren 1-2 ndaj Zenitit, duke shënuar emrin e tij në historinë e kompeticionit më të rëndësishëm për klube në moshën 16 vjeç e 18 ditë.

Në Janar, kur sapo kishte mbushur 15-vjeç, iu bashkua në stërvitje ekipit të parë të Dortmundit dhe më 21 Nëntor, një ditë pas ditëlindjes së tij të 16-të, Moukoko u bë lojtari më i ri i aktivizuar në Bundesligë, kur u fut si zëvendësues në ndeshjen kundër Hertha Berlinit. Pak më shumë se dy javë më vonë, pasi ishte ulur në stol për dy ndeshje të UEFA Champions League, debutoi dhe në 32 minutat në fushë dhuroi numra magjie.

Adoleshenti premtues e nisi futbollin tek akademia e St.Paulit, qytet pranë Hamburgut, përpara se të bashkohej me Dortmund dhe të shkëlqente me fanellën verdhezi.

Moukoko “thyen” kështu rekordin si lojtari më i ri i aktivizuar në Champions, të mbajtur nga nigeriani Celestine Babayaro në Nëntor të vitit 1994 në ndeshjen Steaua Bukuresht-Anderlecht.

Lojtari i tretë më i ri i aktivizuar në kompeticion europian është Rayan Cherki i Olimpik Lyon. Ishte 16 vjeç e 102 ditë kur zbriti në fushë përballë Zenitit më 27 Nëntor 2019.

Tv Klan