Vendet anëtare të Bashkimit Evropian sheshuan përplasjet e brendshme duke dalë me një draft të përbashkët duke hapur dritën jeshile për negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Një raportim të Radio Europa e Lirë mbi atë që ndodhi në orët e samitit të ministrave të Jashtëm, thuhet se për dy vendet e Ballkanit Perëndimor kërkohet që të demonstrojnë përparim mbi reformat para se bisedimet e para të fillojnë vitin e ardhshëm.

Sipas të njëjtave burime, vendimi erdhi mes ndarjeve në mesin e 28 shteteve anëtare të BE mbi këtë çështje. Franca dhe Holanda të mbështetura nga Danimarka kërkuan më shumë reforma në Shqipëri dhe Maqedoni përpara se të fillojnë bisedimet e anëtarësimit.

Ministri austriak i Çështjeve Evropiane Gernot Blumel tha se vendet e BE mbajtën një “qëndrim të fortë” duke iu drejtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor se ata kanë një “perspektivë të qartë drejt Bashkimit Evropian”.

Përpara takimit në Luksemburg, ministri i Jashtëm holandez Stef Blok pranoi se të dy vendet kanë bërë “përparim të rëndësishëm, por duhet të shihen rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit”.

Një rol kyç dyket se ka pasur Gjermania në këtë takim. Michael Roth, ministri i Punëve të Jashtme, këmbënguli që të dy vendet e Ballkanit kanë bërë “përparim të dukshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit”.

Tv Klan