Britanikët testojnë vaksinën. Dalin qindra vullnetarë

Agjencia Evropiane e Barnave ka miratuar ilaçin antiviral Remdesivir,  si një trajtim për Covid-19, duke e vendosur atë në rrugën e duhur për t’u përdorur në vendet e BE. Kjo agjenci deklaroi këtë të enjte se kishte rekomanduar ilaçin për përdorim tek të rriturit dhe adoleshentët nga mosha 12 vjeç me pneumoni, që kërkojnë mbështetje të oksigjenit.

Remdesivir është përdorur kundër Ebola dhe aktualisht po kalon studime klinike në të gjithë botën për të kuptuar më mirë efektet e tij. Ky medikament do të ketë nevojë për miratimin përfundimtar nga Komisioni Evropian përpara se të përshkruhet në vendet e BE. Teksa ende nuk është gjetur një kurë efikase për të trajtuar pacientët mbartës të Covid-19, në Britani po testohet një lloj të ri vaksine.

Kolegji Mbretëror në Angli si fillim e ka testuar një vaksinë tek kafshët e cila ka rezultuar pozitive në provat e para dhe tanimë ka filluar të testohet tek njerëzit. Sipas asaj që raporton BBC, 300 njerëz do t’i nënshtrohen kësaj vaksine gjatë javëve të ardhshme. Më pas testimi do të shtrihet edhe më shumë ku me fillimin e vjeshtës sipas ekspertëve të këtij kolegji rreth 6000 persona do të bëjnë këtë vaksinë.

Shkencëtarët të cilët kanë marrë pjesë në studimin dhe krijimin e kësaj vaksine kanë arritur në përfundimin se ajo është e krijuar me fije sintetike të kodit gjenetik ARN që imiton virusin, një mënyrë e re kjo ndryshe nga vaksinat normale. Pritet që Kolegji Mbretëror do të shpërndajë në të gjithë Britaninë këtë vaksinë deri në fillim të vitit 2021.

Prova klinike për krijimin e një vaksine anticovid po bëhen nga shumë vende si Brazili, Franca, Izraeli, Kanadaja etj.

Gjithashtu edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se së shumë shpejt brenda këtij viti do të prodhohen miliona doza vaksine për të luftuar Covid-19, ndërsa deri në vitin 2021 në të gjithë botën do të shpërndahen 2 miliardë doza.

Prioriteti do u jepet atyre që janë në frontin e parë, si mjekët, por edhe atyre që janë më të prekshëm për shkak të moshës dhe sëmundjeve të tjera.

Klan Plus