Emigrantët kanë sjellë më pak para në familjet e tyre në Shqipëri, në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në 6 mujorin e parë 2016, remitancat ranë me 14 mln euro, ose 4.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në gjysmën e parë 2015, të ardhurat nga emigrantët ishin 304 mln euro, ndërsa në gjysmën e parë të këtij viti, 290 mln euro.

Burime nga Banka e Shqipërisë thonë për Televizionin Klan se rënia e remitancave lidhet me pakësimin e prurjeve të emigrantëve nga Greqia.

Sipas Bankës Qendrore, në gjysmën e dytë të vitit 2014 dhe gjysmën e parë të vitit 2015, remitancat hyrëse në Shqipëri shfaqën norma të larta rritjeje vjetore, prej përkatësisht 15.2% dhe 19%, sepse pasiguria në sistemin bankar grek, për shkak të krizës, bëri që emigrantët shqiptarë të tërhiqnin kursimet e tyre dhe t’i dërgonin drejt Shqipërisë.

Ndërsa tani që situata në Greqi është normalizuar, sipas Bankës së Shqipërisë, fluksi i dërgesave nuk është aq i lartë dhe i është kthyer normalitetit.

Fenomeni i rënies së remitancave, sipas Bankës së Shqipërisë do të jetë i përkohshëm.

Paratë e sjella nga emigratët jashtë vendit janë një burim i rëndësishëm për dhjetëra mijëra familje në Shqipëri.

Tv Klan