Policia e Vlorës është duke kryer hetime intensive për vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj. Në bazë të hetimeve të deritanishme dyshohet se Hoxhaj është qëlluar nga 2 armë zjarri, mëngjesin e 17 prillit në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. Ky detaj është zbuluar nga policia dhe prokuroria e Vlorës, pas ekspertizës së 3 predhave që i morën jetën 58-vjeçarit, nga ku rezultoi se vrasësi ka përdorur 2 armë të ndryshme. Por nga ana e uniformave blu nuk përjashtohet mundësia që të jetë qëlluar edhe nga 2 persona të ndryshëm. 

Grupi hetimor është duke punuar me pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të përcaktuar të gjithë dinamikën e lëvizjeve që mund të kenë kryer autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje. Por deri më tani nuk kanë mundur që të bien në gjurmët e tyre dhe të bëjnë identifikimin. Çka tregon se ata janë treguar shumë të kujdesshëm që të mos shfaqen në pamje.

Uniformat blu të Vlorës janë në kërkim të automjetit që dyshohet se është përdorur para dhe pas ngjarjes. Bëhet fjalë për një fuoristradë Range Rover, e cila rezulton e blerë në Tiranë në muajin Prill. Ky automjet sipas burimeve i është vënë në dispozicion vrasësit nga Eris Mehmeti, i arrestuar nga policia e Vlorës.

Gjetja e kësaj makine, për hetuesit konsiderohet me tepër rëndësi pasi sipas tyre, për mes saj mund të shkohet në identifikimin e autorëve të ngjarjes. Renato Hoxhaj, i cili më herët ka mbajtur emrin Alfred, u qëllua me 3 plumba sapo doli nga banesa e tij mëngjesin e së dielës së 17 prillit.

Ndonëse Hoxhaj nuk rezultonte një person me precedentë, hetuesit dyshojnë se ekzekutimi i tij mund të ketë ardhur për shkak të lidhjes që ai kishte me një grup kriminal. Po ashtu ka dyshime se Renato Hoxhaj të kishte dijeni për një vrasje të ndodhur në qytetin e Vlorës muaj më parë. 

Klan News