Prindërit shpesh përballen me dilema për edukimin e fëmijës. Një dilemë e madhe qëndron edhe në mënyrën se si duhet të rrisin fëmijët e tyre.

Duhet t’i lënë të rriten me gjyshen që e do, me dadon që është profesioniste, apo në çerdhe duke bërë shoqëri me fëmijët e tjerë dhe duke mësuar nga edukatorët?

Studime të ndryshme kanë treguar se koha më e përshtatshme për të çuar fëmijët në kopshte dhe çerdhe nis në moshën 18 muajsh, ose 2 vjeç. Kjo pasi në këtë moshë ndërtohen mekanizmat trunorë, që në të ardhmen do të mundësojnë zhvillimin gjuhësor, fjalën dhe mendimin në nivele cilësore.

Sipas neuroshkencëtarëve, truri i fëmijës deri në moshën 2 vjeç ka periudhën më intensive të zhvillimit, pas kësaj moshe proceset fillojnë dhe reduktohen. Ndaj, është e rëndësishme që fëmija të rritet në një ambient të pasur me informacion dhe veprime nxitëse, të cilat mund të jenë lojra nga më të ndryshmet. Shumë prindër brengosen pse fëmijët e tyre janë të ndrojtur dhe kanë vështirësi të vendosin kontakte me njerëzit e tjerë.

Hulumtimet tregojnë se pikërisht nga babai dhe nga nëna varet vetëdija shoqërore e fëmijës së tyre, pasi prania fizike e shokut apo shoqes është më e rëndësishme për më të vegjlit sesa për më të mëdhenjtë.

Elda Rika, drejtuese e një kopshti privat, ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, nga ku foli për rëndësinë e kopshtit në formimin social të fëmijëve.

“Roli i edukatores në jetën e fëmijës është shumë i rëndësishëm, nga një herë edhe më i rëndësishëm nga ç’mund të mendohet. Roli i saj kryesor është që të jetë një guidë në rrugëtimin e të mësuarit të fëmijës. Një edukatore e mirë është një dëgjuese dhe një vëzhguese e mirë në mënyrë që të njohë fëmijën, pasi duke e njohur mund të krijojë një ambient të përshtatshëm për të që të zhvillohet. Një rol tjetër i edukatores është që të mësojë fëmijët të socializohen, një edukatore e vëmendshme i vjen në ndihmë fëmijës lidhur me socializimin. Duhet të jetë një balancë e mirë mes një edukatoreje që është në nivelin e fëmijës që luan me ta, por njëkohësisht ruhet një balancë për menaxhimin e klasës. Në shumë vende të botës rekomandohet që në moshën 3-vjeçare fëmijët të hyjnë në kopësht, pasi në këtë moshë fëmijët kanë nevojë për zhvillim social”,

tha Rika.

/tvklan.al