Thellohet bilanci i aksidentit pas rrëzimit të një autobusi udhëtarësh pasditen e së mërkurës, në autostradën Tetovë-Shkup. Autoritetet thanë se janë shënuar 14 viktima dhe rreth 37 të plagosur.

Siç shihet në këto pamje, autobusi është rrokullisur në anë të rrugës, ndërsa ekipet e emergjencave po nxjerrin të plagosurit e mbetur të bllokuar.

Personat e lënduar u dërguan për mjekim në spitalin e Shkupit. Mësohet se disa prej tyre janë në gjendje kritike, si pasojë e plagëve në kokë dhe do t’i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjikale. Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 17:00.

Ende nuk dihen me saktësi shkaqet e tij, por paraprakisht dyshohet se ishte plasja e një gome që çoi në humbjen e kontrollit të autobusit. Qeveria ka vendosur 2 ditë zie kombëtare pas ngjarjes së rëndë.

/tvklan.al