Çdo ditë zbulohen qindra raste të reja

Çdo ditë e më shumë ka shtim të numrit të të prekurve me koronavirus në Kosovë. Raste aktive janë rreth 1300 ndërsa të vdekur 54 persona.

Klinika Infektive tashmë është mbushur me pacientë, derisa disa pacientë të konfirmuar me Covid-19 po trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë.

Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar masat derisa përdorimi i maskave është bërë obligativ. Ministri i Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë masat e kërkuara nga qeveria e Kosovës.

“Mos dëgjoni ata që thërrasin për padëgjueshmëri për vendimet e qeverisë, ruani shëndetin tuaj dhe të familjes. Më i rëndësishëm është shëndeti sesa politika”.

Për luftimin e Pandemisë BE ka dorëzuar një donacion në Kosovë në vlerë prej 800 mijë euro.

“Pandemia nuk është krizë vetëm në Ballkan, por në gjithë botën. Respektoni masat e IKSHP-së sepse shumë qytetarë nuk po janë të vetëdijshëm për këtë sëmundje”.

Ndonëse Prishtina prin me numrin më të madh të të prekurve nga sot është hapur pishina e Gërmisë ndërsa dasmat përfundimisht nuk do të lejohen në këtë kohë.

Shumica e institucioneve janë duke punuar me kapacitete të ulëta, derisa qendra e regjistrimit të automjeteve është mbyllur përkohësisht pasi aty janë lajmëruar disa raste.

Tv Klan