RENEA bëhet me repart të ri, Rama: Forcë krenarie dhe shembull për t’u ndjekur

RENEA bëhet me repart të ri, Rama: Forcë krenarie dhe shembull për t’u ndjekur

11:03 13/01/2020

“Për paketën anti-KÇK po punohet bashkë me SHBA dhe BE”

Forcat speciale RENEA do të kenë një repart të ri. Këtë të hënë u inaugurua reparti për forcat policore të elitës, ku pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ai theksoi se RENEA-t janë një forcë krenarie dhe shembull të për t’u ndjekur nga të gjithë.

“Nëse krahasimet me të shkuarën janë absolutisht tronditëse, sot është koha për t’u matur me të ardhmen dhe për të shfrytëzuar mundësitë duke u mbështetur pa asnjë luhatje te kapacitetet njerëzore, profesionale dhe morale të forcave speciale. RENEA është një forcë krenarie dhe një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë, që tregon se është e mundur që ne të synojmë në të gjithë perimetrin e Policisë së Shtetit të kemi standarde sjelljeje profesionale, të njëjta me ato të policive europiane. Përpara disa kohësh një autoritet i huaj vizitoi forcat RENEA dhe gjatë takimit me të dëgjova fjalë të shkëlqyera. Sipas tij, nëse në kushtet optimale që tanimë janë të siguruara do të vendoseshin si të gjitha forcat e tjera të elitës si RENEA atëherë rezultatet do të ishin edhe më mbresëlënëse”, tha Rama.

Kryeministri bëri edhe një bilanc të viti të shkuar. Ai tha se herë pas here është krijuar përshtypja e gabuar mbi situatën e kriminalitetit në vend. Sipas kreut të qeverisë përveçse shpërbërjes së shumë grupeve kriminale, sekuestrimit të shumë aseteve kriminale etj., policia siguroi qetësinë edhe rendin përpara protestave të dhunshme të qeverisë.

“Lamë pas një vit që ishte domethënës për Policinë e Shtetit. Një vit tejet i komplikuar dhe në një farë mënyre i pakrahasueshme me ndonjë tjetër. Është për të ardhur keq që në atmosferën e rënduar artificialisht nga disa drejtime dhe në kushtet e një xhungle informacioni krijohet hera herës përshtypja tejet e gabuar mbi situatën e kriminalitetit në Shqipëri, ndërkohë që faktet flasin më së miri, për rënien e vazhdueshme kryesorë të kriminalitetit. Faktet flasin për një rritje të zbulueshmërisë së krimeve nga Policia e Shtetit, lufta me krimin është luftë që nuk mbaron asnjëherë dhe matet thjesht dhe vetëm me raportin e forcës përmes fakteve e shifrave mes shtetit dhe krimit. Vitin e shkuar u shpërbënë më shumë se dyfishi i grupeve kriminale krahasuar me vitin 2018. U shumëfishuan sekuestrimin e aseteve kriminale. U rrit forca goditëse ndaj të gjitha veprave të rënda, apo pak më të rënda penale, u aplikuan për herë të parë metoda të reja kundër krimit, përfshi edhe krimin kibernetik. Falë Policisë së Shtetit jo vetëm u sigurua rendi dhe qetësia gjatë 6 muaj marramendëse të protestave të dhunshme të opozitës, por u shfaq në sytë e opinionit publik vendas, por edhe atyre të interesuar jashtë Shqipërisë fytyra e policisë së shtetit profesionale dhe proporcionale në raport me protestën përtej gjithë vështirësisë që u vunë forcat e rendit”, tha Rama.

Ndërkohë për sa i përket vitit 2020, kreu i ekzekutivit tha se ky vit është përcaktuar si kyç për ofensivën ndaj krimit të organizuar. Kjo është arsyeja pse qeveria po bën gati paketën anti-KÇK, për të cilën po punohet sëbashku SHBA-të dhe BE-në.

“Për këtë arsye ne jemi ndërmarrë nismën e një pakete ligjore që jemi duke e kolauduar këto ditë që flasim edhe me partnerët tanë të pazëvendësueshëm SHBA dhe BE dhe në ditët në vijim do ta kthejmë në një bazë ligjore për të ndërmarrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar duke zhvilluar një aktivitet agresiv në terren të Policisë së Shtetit, ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, janë akuzuar po i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KÇK dhe ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi, ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë e tyre. Paralelisht me ta do të bëjmë të mundur vendosjen me shpatulla pas murit të Prokurorëve dhe Gykatësve që e dinë se nuk kalojnë vettingund dhe marrin vendime në kundërshtim me ligjin”, tha Rama.

I pranishëm në inaugurimin e repartit të ri ishte edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca. Ai theksoi se vetëm në vitet e fundit unioni ka financuar 15 milionë euro në mbështetje të Shqipërisë, ndërkohë që do të vazhdojë të financojë edhe në të ardhmen.

“Në dy vitet e ardhshme BE do të japë 19 milionë euro për policinë. Arsyeja pse jemi këtu duhet parë si një gur kilometrik shumë i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar. Krimi i organizuar dhe krimi i rëndë nuk janë fenomen vendor dhe lokal, ato varen në lidhjen e tyre transkombëtare. Krimi i organizuar duhet luftuar nga të gjithë”, deklaroi Soreca./tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi