Operacioni i bujshëm i forcave speciale, një i arrestuar me armë pa leje

Edison Begaj, 41-vjeç është i vetmi i arrestuar gjatë aksionit të bujshëm të RENEA-s në 5 qytete të vendit. Begaj subjekt i OFL-së i cili i shpëtoi një atentati 2 javë më parë në Vlorë, u arrestua pasi u kap me armë pa leje një krehër dhe 5 fishekë.

Krahas Vlorës, kontrolle u kryen dhe në Elbasan, ku reparti RENEA, priste të arrestonte të shumë kërkuarin Talo Çela. Pavarësisht kontrollit të 25 banesave dhe shoqërimit të 15 personave, forcat speciale nuk arritën të bien në gjurmët e të kërkuarit të drejtësisë.

Në Durrës, u kryen kontrolle pasi kishte informacione për strehimin e disa elementëve kriminalë, të përfshirë në vrasje, por sipas policisë vetëm disa persona u morën në pyetje dhe më pas u lanë të lirë.

Nga dëshmia e tyre, mësohet se janë siguruar informacione të vlefshme që mund të ndihmojnë për zbardhjen e vrasjeve mafioze.

I njëjti rezultat ishte dhe në Fier e Lushnje, ku forcat e posaçme të policisë, bënë kontrolle dhe shoqërimin e dhjetëra personave, të cilët u lanë të lirë më pas.

Pas aksionit në këta pesë qytete, policia do rinisë kërkime dhe në Shkodër dhe qytete të tjera të vendit, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë, apo janë të skeduar në trafikun e lëndëve narkotike.

Klan News