I shumëkërkuari për dy vrasje Petrit Dushi është ekzekutuar nga Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur në Policinë e Shtetit. Pasi kanë zbuluar vendndodhjen e tij në Fshatin Gziq të Mirditës, forcat e RENEA-s kanë tentuar ta arrestojnë, por 45-vjeçari iu është kundërpërgjigjur me të shtëna automatiku ashtu siç bëri dhe në shtatorin e vitit 2015. Gjatë përplasjes me armë, snajperistët e RENEA-s e kanë ekzekutuar.

Policia bën me dije se pavarësisht insistimit dhe thirrjeve të efektivëve të RENEA-s për dorëzim, ka qenë e pamundur që ai të kapej i gjallë. Petrit Dushi, 45 vjeç ishte i dënuar me 17 vjet për vrasje në vitin 2003, 3 vjet për falsifikim dokumentesh dhe ishte në gjykim për vrasjen e dajës së babait të tij , Mark Jakut me 19 Tetor të 2013, në Ungrej të Lezhës. Me 15 shtator të vitit 2014 ai arriti t’i shpëtonte kapjes nga RENEA në Fshati Orosh të Mirditës.

Petrit Dushi

Si i shpëtoi Petrit Dushi RENEA-s një vit më parë

Në 15 shtator të 2015 forcat RENEA u ndodhën para të shtënave me armë zjarr. Operacioni i zhvilluar në Orosh të Mirditës për arrestimin e Petrit Dushit u shoqërua me shkëmbim zjarri mes palëve. Pasi konstatoi praninë e policisë, 44-vjeçari i armatosur u largua nga banesa në drejtim të pyllit, nga ku ka qëlluar me armë zjarri drejt efektivëve, të cilët i janë kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë.

Vrasja e parë

Në 2003 pas një debati për motive pronësie ai ekzekutoi një bashkëfshatar të tijin. Ngjarja ka ndodhur pikërisht në ditën që viktima i fundit martonte të bijën. Konflikti i pronësisë mësohet se ishte shkaku i vrasjes dhe prej asaj kohe Dushi u shpall në kërkim nga policia. Prej asaj kohe ai jetonte në arrati në malet e Mirditës dhe herë pas here ishin organizuar disa aksione për arrestimin e Dushit. Por edhe asokohe, falë njohjes së terrenit ai kishte mundur të arratisej sapo policia mbërrinte në zonën ku jetonte.

Vrasja e dytë

Në tetor të vitit 2013, Dushi kreu vrasjen e dytë. Viktima këtë herë ishte daja i babait tij, Mark Jaku, nga fshati Ungrej, i cili e kishte strehuar për disa kohë gjatë arratisë. Ndoshta dhe debati për strehimin mund të ketë qenë shkak i vrasjes së dytë. Edhe në atë kohë, policia nuk mundi të arrestonte Dushin, i cili prej vitesh ka jetuar nëpër malet e Mirditës. Ditën e ngjarjes, policia bëri të ditur se një 60-vjeçar ishte vrarë me armë zjarri, afër mesnatës në Sukaxhi të Komunës Ungrej, Lezhë. Policia informonte se viktima e krimit është shtetasi Mark Jaku, i cili pas një konflikti me autorin, për motive banale, është qëlluar disa herë me automatik. Në atë kohë, policia ka identifikuar si autor Petrit Dushin, nga fshati Kaçinar i Mirditës dhe tha se autori i vrasjes ishte person i shpallur në kërkim prej 10 vitesh, për një vrasje të kryer në Kaçinar të Mirditës, si dhe për “falsifikim dokumentesh”./

tvklan.al

RENEA në ndjekje të të akuzuarit për vrasje

Operacion i gjërë policor për kapjen e një të kërkuari në Mirditë