Një 33-vjeçar i shpallur në kërkim dhe i klasifikuar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, u arrestua gjatë një operacioni të RENEA-s në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë. Ai është Barush Bregu nga Shkodra, i dënuar në mungesë me 4 vite burg për kultivim droge të kryer në bashkëpunim në vitin 2016.

Ndaj tij është vendosur edhe masa e sigurisë arrest në burg për armëmbajtje pa leje, pasi në Shtator të vitit 2018 gjatë një operacioni të policisë atij iu gjet në banesë një kallashnikov dhe municione.

33-vjeçari Bregu është i skeduar edhe si pjesëtar i një grupi kriminal dhe është  i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në qarkun e Shkodrës më parë, si dhe autor i dyshuar për “trafikim të lëndëve narkotike”. Në aksionin morën pjesë edhe efektivët e Policisë së Shkodrës, FNSH dhe forcat “Shqiponja” të Tiranës. Barush Bregu jetonte në një apartament të marrë me qira në kryeqytet.

Gjatë këtij operacioni u arrestua në flagrance dhe 21-vjeçari me iniciale B. Ç., nga Shkodra për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Shkodrës për veprat penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.

/tvklan.al