Dyshohet se kanë lidhje me pengmarrjen e 49-vjeçarit në Kamëz

Forcat Speciale RENEA kanë arrestuar dy persona në lidhje me pengmarrjen e Jak Prengës. Aksioni nisi në orët e para të mëngjesit dhe u përqëndrua në Shijak, pranë një kompleksi.

Uniformat blu dyshojnë se në këtë zonë mbahet peng 49-vjeçari, i cili u rrëmbye më 17 Janar në Kamëz, për fatin e të cilit nuk dihet asgjë.

Dëshmitarët i kanë thënë policisë se dy persona, ende të pa identifikuar, pasi janë konfliktuar me Prengën, e morën peng me një makinë tip ‘Range Rover’.

Më pas mjeti, që dyshohet se u përdor nga autorët, u gjet i djegur në Shkallnur të Durrësit.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se Prenga mund të jetë marrë peng për prishjen e pazareve të paligjshme.

Gjatë kontrolleve në Shijak është gjetur edhe një armë zjarri pa leje, ndërkohë që Policia e Shtetit nuk ka dhënë ende të dhëna zyrtare për rezultatet e këtij aksioni.