Fier | Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, të atyre të shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike, Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në DPPSH dhe DVP Fier, ushtruan kontrolle të befasishme në disa lokale dhe ambiente të ndryshme në Fier dhe Lushnje.

Si rezultat, në lagjen “Fermë-Çlirim”, në ambientet e një lokali, gjatë kontrollit të zhvilluar nga RENEA, Indrit Hoxhaj (Kuçi), 27 vjeç, sapo ka parë forcat e Policisë ka hedhur nga dritarja e lokalit çantën e dorës brenda së cilës mbante një armë zjarri pistoletë. Gjatë këqyrjes së çantës, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të saj armën e zjarrit pistoletë me dy karikatorë me fishekë luftarakë dhe kartën e identitetit të 27-vjeçarit.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 27-vjeçarit për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

Hoxhaj dyshohet se është anëtar i një grupi kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.