Bizneset prodhuese thonë se rënia e besimit në ekonominë shqiptare përgjatë muajve të fundit lidhet me përfshirjen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të biznesit të vogël, e cila ka dhënë efekte zinxhir edhe në biznesin e mesëm dhe të madh.

Por përveç këtij faktori, veçohet edhe konkurrenca e pandershme që produktet e importuara u bëjnë atyre vendase, shtuar këtu edhe mbylljen e disa fermave në sektorin e blegtorisë dhe ngrirjen e fondeve për subvencione në bujqësi, që janë dhënë nga Bashkimi Europian. Këto elementë, thotë Agim Rrapaj, kanë ndikuar në uljen e pritshmërive që ka biznesi.

Gjergj Buxhuku thotë se lufta e pandershme që ka demoralizuar sektorin privat lidhet edhe me hyrjen në ekonomi të parave të pista. Një vrojtim i Bankës së Shqipërisë raportoi se gjatë periudhës Prill-Qershor, besimi i biznesit dhe konsumatorit në ekonomi ka rënë me 9.9%.

Të gjitha degët e ekonomisë, përfshirë dhe buxhetin e familjeve shënuan një përkeqësim të situatës financiare dhe pritshmërive që kanë në të ardhmen.

Tv Klan