Në raportin e fundit të INSTAT për vitin 2023 u pa se ka një rënie të numrit të lindjeve në vendin tonë. Mbështetur në shifrat e INSTAT, sociologia Entela Binjaku në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan tha se Shqipëria ka pësuar rënien më të madhe të numrit të lindjeve në 90 vitet e fundit.

Ajo tha se këto shifra janë shqetësuese, krahasuar me numrin e popullsisë dhe lindjeve gjatë periudhës komuniste, ku numri i shqiptarëve ishte më shumë se 3 milionë, kjo dhe për faktin e politikave që ndiqte regjimi i asaj kohe.

“Sidomos në 3 dekadat e fundit ne kemi njohur një ndryshim shumë të lartë sa i takon numri të fëmijëve në familjet tona. Gjeneratat mbi 50 deri në 45 janë rritur në familje të mëdha, ndërkohë që kur kanë krijuar familjet e veta kanë shkuar drejt këtij trendi. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që deri në fund të Luftës së Dytë Botërore ne ishim 1 milionë shqiptarë, kurse në fund të regjimit socialist dolëm rreth 3 milionë e pak. Kjo si rezultat i një politike të atillë që ndoqi regjimi komunist për rritjen e numrit të popullsisë që do i kontribuonin më pas vetë regjimit. Aktualisht shprehja ‘1 është pak dhe 2 janë shumë’, është kthyer si një lloj mendësie në shumë e shumë qytetarë. Ka hyrë dashur, pa dashur si shprehje, por tani është bërë një fakt. Aktualisht edhe shifrat e INSTAT janë duke folur për këtë rënie të madhe të numrit të lindshmërive në vend. Në fakt shumë pak rëndësi u japin statistikave në vendin tonë, ne ç’është e vërteta flasim shpesh herë për dukuri që na shqetësojnë, por kur bëhet fjalë për statistika fakti bëhet më shqetësues. Në statistikat e vitit të kaluar që kanë dalë para pak ditësh nga INSTAT ne kemi njohur numrin më të pakët të fëmijëve tanë në 90 vitet e fundit.”

Për uljen e numrit të lindjeve sociologia tha se ndikojnë një sërë faktorësh si natyrorë, ekonomikë dhe socialë. Sipas saj mungesa e një strehe dhe një punë te qëndrueshme janë faktorët kryesorë që pengojë çiftet e reja në zgjerimin e familjes. Gjithashtu si arsye jo pak të rëndësishëm Entela Binjaku vendosin dhe faktorin biologjik, që është infertiliteti.

“Kjo ndodh për faktin se një pjesë të madhe të çifteve hasen me sfida për rritjen dhe mirëqenien të gjithë anshme të fëmijëve. Kjo është diçka gjithnjë edhe më shumë në rritje dhe e papërballueshme për një pjesë të shqiptarëve. Një pjesë e çifteve shqiptare nuk e kanë më atë strehën e sigurt që kanë pasur prindërit e tyre. Në kuptimin që familja shqiptare ka ndryshuar dhe nuk kanë se kush iu rri afër edhe nëse do të duan të sjellin në jetë një fëmijë më shumë. Mendoj se një arsye e 3-të lidhet edhe me problemet me infertilitetin. Nuk janë të pakta dhe këtë mund ta dëshmojnë shumë e shumë çifte. Në fakt nuk është përcaktuese, por përbën një përqindje. Edhe pse mund të duket si një prirje, më shumë se sa një prirje kjo është një pasojë që ka shumë shkaqe, të cilat unë do i veçoja në shkaqe të natyrës ekonomike, kulturore dhe sociale.”/tvklan.al