Teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballen me një dimër të parakohshëm, me reshjet të dendura dëbore që deri më tani ka shkaktuar të paktën 8 viktima, edhe Europa duket se nuk ngelet pas.

Java që vjen sjell rënie të theksuar temperaturash, shi e dëborë edhe në Britaninë e Madhe, duke bërë kështu që moti i butë, i pazakontë për këtë periudhë të vitit, të vijë drejt fundit.

Meteorologët parashikojnë që duke nisur nga mesnata e së dielës, vendi të preket nga vala e të ftohtit. Ekspertët paralajmërojnë se ngrica do të prekë pjesën më të madhe të Britanisë gjatë ditëve të fundit të Nëntorit.

Në Itali meteorologët parashikojnë që gjatë fundjavës vendi të goditet nga një anticiklon, që pritet të sjellë temperatura të ulëta dhe të prekë pjesën më të madhe të Europës Lindore.

Edhe në vendin tonë kjo javë solli temperatura të ulëta, si dhe reshje dëbore në disa zona. Meteorologët parashikojnë që moti të jetë i paqëndrueshëm gjatë gjithë Nëntorit, me ditën më problematike të martën, kur pritet që të kemi reshje të dendura shiu. Megjithatë, pritet që mesi i javës situata të ndryshojë sërish dhe të kemi një rritje të temperaturave

./tvklan.al