Ish-kryeministri i Italisë, senatori Mateo Renzi vizitoi këtë të mërkurë ambientet e kampit të pritjes së refugjatëve në Gjadër. Tashmë si përfaqësues i opozitës, Renzi propozon kthimin e qendrës jo për emigrantët e paligjshëm dhe të azilkërkuesve, por në burgje për shqiptaret e dënuar në Itali.

“Do ishte më e udhës që këtë qendra të shndërroheshin në burgje për të bërë të mundur që dy mijë shqiptarët e dënuar në Itali të kenë mundësi të jenë më afër familjeve të tyre. Këtë ide e kemi artikuluar edhe në Parlament”, tha Renzi.

Senatori italian akuzon qeverinë Meloni për shpërdorim të parave të taksapaguesve italianë, duke shtuar se qendra e azilkërkuesve nuk e ka ulur numrin e emigrantëve të paligjshëm, por është vetëm propagandë.

“Unë shikoj çështjet e buxhetit, këtu shteti italian humbi gati 1 miliardë Euro nga buxheti i italianëve për të paguar këtë strukturë këtu që është bosh. Përveç miqësisë Meloni-Rama, cila është arsyeja që u ndërtuan këto qendra? Unë mendoj se këto para mund të ishin shpenzuar për pensionet dhe për pagat”, tha Renzi.

Vizita e tij vjen pas vendimit të gjykatës italiane për të dërguar në Gjykatën Evropiane çështjen e vendeve të origjinës së emigrantëve që dërgohen në Gjadër.

Teksa qeveria Meloni po shqyrton mundësinë e nxjerrjes së një dekreti të shndërrimit të Shëngjinit dhe Gjadrit në kampe riatdhesimi për azilkërkuesit e refuzuar dhe jo në qendra pritjeje.

Tv Klan