Zyrtarisht në fushatën për zgjedhjet presidenciale të Amerikës do të garojë edhe një reper. Bëhet fjalë për Kanye West. 43-vjeçari do të kandidojë për partinë e krijuar prej vetë atij të quajtur “Partia Ditëlindjes”. Hyrjen ne garë e zyrtarizoi këtë të hënë gjatë një tubimi në Charleston të Karolinës së Jugut.

Mirëpo kandidatura e tij në momentin e fundit për Shtëpinë e Bardhë është parë më shumë si një marketing nga fansat. Të dielën një postim në Twitter tregoi listën e këngëve për albumin e tij të ri. Edhe pse e fshiu më vonë, kjo hapi spekulimet nëse 43-vjeçari ka për qëllim Shtëpinë e Bardhë apo promovimin e këngëve.

West u shfaq në tubimin në Charleston me një jelek antiplumb ndërsa në kokë kishte rruajtur vitin “2020”. Ai iu drejtua turmës pa mikrofon. Në një moment gjatë të fjalimit, ai filloi të qante kur tha se prindërit e tij donin ta abortonin.

“Mund të mos kishte Kanye West, sepse babai im ishte shumë i zënë”, tha ai duke shtuar se gati kishte vrarë vajzën sepse nuk donte që Kim Kardashian të lindte.

Gjithsesi ai u shpreh se aborti duhet të jetë i ligjshëm, por duhet të ketë mbështetje financiare për nënat e reja. Madje filloi edhe me premtimet e para, duke thënë se “çdokush që ka një fëmijë merr një milion dollarë”.

West foli negativisht për aktivisten e viteve 1800, Harriet Tubman, e cila e lindur në skllavëri u arratis nga një plantacion dhe aty ku shkoi shpëtoi skllevër të tjerë duke i çuar njerëzit drejt lirisë.

Ai u përlot edhe ku foli për të ëmën e ndjerë, e cila vdiq në 2007-n për shkak të komplikacioneve gjatë një operacioni kozmetik. West ka humbur afatin për t’u futur në votime në disa shtete. Ai ka nevojë të mbledhë disa firma që të marrë pjesë në votimet e disa shteteve të tjera./tvklan.al