Kurti: Thaçi në panik për vendimin mbi mandatimin e Hotit

Ndonëse një ditë më parë Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka reaguar për diskursin publik kërcënues të Presidentit dhe Kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçi dhe Albin Kurti sërish janë marrë me këtë gjykatë. Kryeministri në detyrë Albin Kurti gjatë vizitës në Mitrovicë ka thënë se sulmet e këtij institucioni po i vijnë nga dikush tjetër.

“Ne nuk e kërcënojmë askënd, ne nuk bëjmë trysni ndaj askujt. Si Kryeministër në detyrë mund të them se unë jam në mbrojtje të Gjykatës Kushtetuese. Sulmet i ka nga dikush tjetër sepse ne e adresuam çështjen, tjetër kush është në panik”.

Ai një ditë më parë ka bërë të ditur se ka marrë një letër kërcënuese nga e ashtuquajtura Garda Vullnetare Shqiptare, ndërsa sot gjatë vizitës së tij në Mitrovicë ishin ndërmarrë masa shtesë të sigurisë.

“Ata që më kanë kërcënuar nuk mund ta kenë pasur me mua  për shkak se e dinë që tek unë nuk funksionojnë kërcënimet. E kanë pasur me dikë tjetër, e kanë pasur me Gjykatën Kushtetuese, sepse është në panik Presidenti të cilit po i humb rasti”.

Presidenti Hashim Thaçi, nëpërmjet një statusi në Tëitter, ka njoftuar se është takuar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it ku ndër të tjera ka thënë se respektimi i institucioneve të pavarura posaçërisht Gjykata Kushtetuese është jetik për demokracinë e një vendi.

Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar ankesën e LVV-së për dekretimin e kandidatit të LDK-së për Kryeministër nga Presidenti.

Tv Klan