Replika Prishtinë-Beograd për situatën në veri


Replika Prishtinë-Beograd për situatën në veri

16:06 13/10/2021

BE: Të ndalet menjëherë tensionimi i gjendjes

 

Kryeministri Albin Kurti, ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës që u pasua me përplasje dhe tensionim të situatës në veri të vendit. Ai u shpreh i vendosur për zbatimin e ligjit.

“Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa mediave në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”.

Ka reaguar edhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç që zhvilloi një takim me serbët e Kosovës të cilëve u premtoi mbështetje ndërsa nuk i kurseu akuzat për Kryeministrin Albin Kurti.

 “Kam frikë se kemi dikë që është krejtësisht joracional në Prishtinë. Kemi edhe disa keqdashës në bashkësinë ndërkombëtare, të cilët sinqerisht duan konflikte edhe këtu, dhe duan të na fusin në konflikt. Sigurisht, unë do të doja të ruanim paqen, por nuk kemi zgjidhje”.

Ndërsa Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic i kërkoi më herët NATO-s që të ndërhyjë. Një reagim ka bërë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell që kërkoi ndaljen e menjëhershme të incidenteve të dhunshme në veri të Kosovës.

Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

Tensionet në veri të Kosovës u rikthyen vetëm pak ditë pas BE ndërmjetësoi një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së targave.

Tv Klan






Të ngjashme