Replika PS-PD për kutitë e Lezhës – TV KLAN

Replika PS-PD për kutitë e Lezhës

Mazhoranca dhe opozita përplasen për vendimin e KQZ

Debati në tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procesin e 30 Qershorit u transferua edhe në dy selitë e partive politike. Socialistët përmes Elisa Spiropalit thanë se KQZ i dha goditjen përfundimtare të alibisë së opozitës për krim elektoral.

“Sot, alibia e ngritur për parregullsitë e regjistruara më 30 Qershor, mori një goditje përfundimtare. Prova më e mirë që shkatërron alibinë e fundit të humbësit serial Lulzim Basha, është rinumërimi i 11 kutive në Lezhë. 11 kuti u rihapën për shkak të ankesave të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje. Rezultatet tregojnë qartësisht se nuk ka pasur asnjë parregullsi. Në 10 prej kutive, janë ekzaktësisht të njëjtat vota, që janë regjistruar edhe në tabelën përfundimtare të KQZ”.

Por selia blu përmes sekretarit për çështjet zgjedhore Ivi Kaso tha se katër anëtarët e maxhorancës refuzuan  transparencën përmes akteve që i cilësojnë qesharake të hapjes së disa kutive të votimit pa hapur më parë kutinë e materiale ku gjendet lista e zgjedhësve.

“Shfaqja është një sajesë e trashë për të mbuluar manipulimin me shifrat e pjesëmarrjes në votimet moniste të 30 Qershorit. Për të fshehur këtë manipulim, KQZ-ja refuzon të hapë kutinë e materialeve zgjedhore, kur gjendet lista e votuesve. Duke mos hapur kutinë e materialeve zgjedhore, Komisioni Qendror i Vjedhjeve eliminon mundësinë e vetme për të krahasuar votat e gjetura në kutitë e hapura me listën e votuesve në kutinë e materialeve, e cila mbahet qëllimisht  mbyllur”.

Kaso tha se opozita kërkon transparencë nga KQZ dhe se ajo nuk ka kontestuar numërimin, por mbushjen e kutive për rritjen e  pjesëmarrjes, që sipas Partisë Demokratike verifikohet nga hapja e kutisë së materialeve zgjedhore.

Tv Klan

Kategori
PolitikaTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*