PD: Rast korrupsioni, reagon Veliaj: Plani i Bashës ishte 30 % më i shtrenjtë

Partia Demokratike ka vijuar ta denoncojë si korruptiv procesin e ngritjes së inceneratorëve të përpunimit të mbetjeve. Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku ishte në Sharrë, ku deklaroi se inceneratori i Tiranës është një histori e pastër vjedhje dhe abuzimi me pushtetin.

“Kompania që ka marrë në menaxhim inceneratorin e Tiranës u krijua vetëm një ditë përpara se ta merrte këtë koncesion. Kostot e këtij inceneratori po i paguajnë qytetarët e Tiranës. Paguajnë nga buxheti i shtetit çdo ditë. 25 milionë euro janë paguar për atë karabina atje e për atë mal plehrash, ndërkohë që do të paguhen edhe 400 milionë euro të tjera. Bashkë me qytetarët e Tiranës që paguajnë një tarifë më të lartë pastrimi, edhe Bashkia e Durrësit është detyruar që të derdhë këtu mbetjet. Këto furgona pastrimi që vijnë pas meje, që vijnë nga Durrësi dhe i derdhin këtu mbetjet, i kushtojnë qytetarëve të Durrësit 14 milionë euro nga buxheti i tyre”

Por pak orë me pas, po nga Sharra, për herë të parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar për akuzat e Partisë Demokratike për inceneratorin. Ndërsa inspektoi transformimin që ka pësuar vendgrumbullimi i mbetjeve në Sharrë prej inceneratorit, Erion Veliaj tha se Lulzim Basha firmosi planin për t’ia dhënë sharrën një kompanie tjetër që do i kushtonte shumë herë më shtrenjtë Tiranës.

“Kur kryetar bashkie ishte Lulzim Basha, i dha OK një plani i cili ishte shumë ndryshe nga ky plan. Ishte një plan i cili propozonte një pagesë 37 euro/ton. Për çdo ton, qyteti do paguante 37 euro, ndërkohë që qysh në fillim qyteti do paguante 34.6 milionë euro kompanisë. Ne jo vetëm që nuk e paguajmë këtë 34.6 milionë euro, por ne në vend që të paguajmë 37, ne paguajmë në fakt 29 euro/ton. Në qoftë se në Europë shkon diku te 140-150 maksimumi, në Shqipëri ne kemi sot çmimin më të ulët me 29 euro. E kemi 30% më të ulët se çmimi që kishte përgatitur Lulzim Basha, i cili pasi i jep OK këtij propozimi, e çon në Ministrinë të Financave me firmën e vet këtë propozim. Lulzim Basha do paguante për ton, në bashkinë dhe në qeverinë e tij, 8 euro më shumë. 1 mijë ton në ditë, 8 mijë euro në ditë më shumë. 365 ditë, 3 milionë euro më shumë në vit”.

Sipas Veliajt, plani i kreut të demokratëve do i kushtonte Tiranës 30 % më shumë . Për kryebashkiakun, sulmet e PD janë për t’u vendosur gjoba bizneseve duke i kërcënuar me protesta.

Tv Klan