Dhjetëra vite më parë dy fshatrat bregdetarë Dhërmi dhe Vuno ofronin një pamje të lidhur me njëra – tjetrën, duke nisur që nga mënyra e jetesës së banorëve e deri të arkitektura e shtëpive dhe kalldrëmit në rrugë.

Në vitet e postkomunizmit, dora e njeriut por dhe degradimi në kohë zhbënë deri diku qytetërimin dhe kulturën që vitet skalitën mbi muret e shtëpive dhe organizimin e jetës së përditshme të vendasve që jetojnë ende në këto zona.

Turistët këtu nuk kanë munguar kurrë, por kurioziteti dhe numri i tyre mund të ishte edhe më i madh. Rikthimi dhe njëherë në kohë dhjetëra vite më parë shtyu qeverinë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit që të nisin zhvillimin e një projekti, i cili do të restauronte pamjen e të dy fshatrave.

 “Nga 260 shtëpi të fshatit Dhërmi, 228 janë rikonstrkutar ndërsa po vijon puna për të përfunduar restaurimin e të gjithave. Projekti synon kthimin në kohë disa dekada më parë të këtij fshati bregdetar.”

Kur takon inxhinierët dhe supervizorin e projektit, të cilët kanë një vit që po punojnë për zhvillimin urban dhe restaurimin e Dhërmiut, ata nuk lodhen së treguari një për një mbi historinë e shtëpive, kishave, banorëve, stilin e jetesës dikur dhe mënyrën se si ata po punojnë deri në detaje për të rikthyer mbi mure dhe kalldrëme historinë e fshatit.

“Ka të bëjë me riparimet e fasadave, çative dhe jo vetëm, me të gjithë infrastrukturën rrugore, duke zhvilluar njëkohësisht edhe një projekt shumë të detajuar për çështjen e rrugicave të fshatit Dhërmi dhe përfundimi i tyre do të jetë me kalldrëmin tradicional siç ka qenë në vitet e mëparshme”, tha Alma Ruci, inxhiniere e Firmës “Gjikuria”

Për 8 objekte restaurimet do të jenë të plota, në fasadë dhe në ambientet brenda. Rrugët po shtrohen me kalldrëmin karakteristik të zonës, por edhe ndriçimi do t’i përshtatet kohës së ndërtesave. Punonjësit e firmës “Gjikuria” të sigurojnë se punimet do të mbyllen brenda korrikut, e se arkitektura e fshatit do të jetë e përfunduar për çdo vizitor.

“Në përfundimin e tij do të shikojmë jo thjeshtë një Dhërmi të rikonstruktuar nga ana e fasadës dhe e çatisë, por dhe një Dhërmi i cili do të mund të jetë i aksessueshëm nga vizitorët e huaj dhe vendas për të parë mënyrën e jetës së këtij fshati, traditat, zakonet”, tha Ruci.

577 milionë lekë për rikualifikimin urban të Dhërmiut dhe 446 milionë për Vunoin do t’i kthejnë këtë sezon dy fshatrat në një qendër atraksioni jo vetëm për turizmin bregdetar, por edhe për atë kulturor.

7.4 kilometra në jug të fshatit Dhërmi, arrin në Vuno. Këtu punimet janë në mesin e tyre, por inxhinierët janë të sigurt që do të përfundojnë në fund qershorit. Përveç restaurimit të fasadave po punohet edhe për sistemin e kanalizimeve dhe veshjen e rrugëve me kalldrëm.

“Punimet që do të kryhen janë çatitë, suvatimet, dyert, dritaret dhe grilat sipas karakteristikave të vjetra, sidhe komplet sistemi rrugor me kalldrëm siç ka qenë”, tha Bardhyl Kraja, inxhinier i Firmës “Fusha”.

Gurët për shtrimin e tyre janë marrë karakteristikë të kësaj zone, ndërsa ndërhyrja në fasada do të përshtatet sipas epokës kur janë ndërtuar shtëpitë.

“Këto Punime rikthejnë edhe një herë në gjendjen e mëparshme, të para 80 viteve, Vunoin. Para se sa është djeg në vitin 1944 herën e fundit”, tha Kraja.

Vunoi ka më pak shtëpi, rreth 230, por edhe kisha. Banorët e fshatit nuk lodhen kur tregojnë mbi historinë e shtëpive, por edhe kishave e rrënojave që nuk janë të pakta, nesër këto rrëfime do të përhapen më shpejt pasi Vunoi të hapë dyert për turistët që do të ngjitin rrugicat e tij.

Tv Klan

Gazetare: Ola Xama