“Jam e sigurt që iu është krijuar përshtypja se e keni dëgjuar më parë këtë zë që u zgjodh nga Lyk Beso për filmin “Elementi i pestë”. E çuditshme, e ardhur nga jashtë, vokalicat e saj magjepsin pa përjashtim të gjithë ata që e dëgjojnë. Ky zë i përket një sopranoje të re shqiptare, Inva Mula. Përtej muzikalitetit shumë të ëmbël, ajo ka një regjistër vokali shumë të gjerë, një tingull të ngjyruar që i ka dhënë mundësinë të këndojë “Gilden” në arenat gjigande të Veronës”, kështu e nis reportazhin prezantuesja e programit “Muzika në zemër” e televizionit “France 2” kushtuar sopranos së madhe Inva Mula, në vitin 1999.

Ajo kishte zgjedhur fjalët më të mira për t’u shprehur për këngëtaren, ndërkohë që në reportazhin e realizuar vetë sopranoja tregon se fillimet për të kanë qenë të vështira. Mula tregon se pas konkursit të rëndësishëm siç ishte “Madame Baterfly” në Barcelonë, karriera e saj mori një tjetër rrugë. Siç tregon ajo, kërkesat u shtuan shumë për të kënduar në koncerte shumë të rëndësishme krah më të mirëve.

“Kur erdha në Paris nuk ishte e thjeshtë. Nuk njihja asnjeri dhe mendova se duhet të nisja gjithçka nga e para. Gjëra e parë që duhej të bëja ishte të gjeja një punë fikse sepse nuk mund të këndosh nëse ke shqetësime dhe probleme. Hyra në kor dhe atje fillova një jetë tjetër, një jetë që nuk e kisha njohur më parë. Ishte jetë kolektive, të gjithë këndonin bashkë dhe nuk mund të shpreheshe siç doje. Ata mendonin se unë sapo kisha mbaruar shkollën dhe isha futur në kor, por në fakt unë kisha dalë në skenë shumë e re, por nuk flisja shumë frëngjisht dhe isha e turpshme. Mora pjesë në një konkurs shumë të rëndësishëm siç ishte “Madame Baterfly” në Barcelonë, fitova çmimin e madh dhe aty i thashë vetes: “Ndoshta duhet të kap gjëra të rëndësishme”.

“Mendoj se është e rëndësishme për këngëtaret e rinj që ta fillojnë nga konkurset. Fillova këtë rrugë mbase rastësisht, por kështu ishte fati. Këtë ia këshilloj edhe të tjerëve. Pas konkursit kisha jo pak propozime për koncerte shumë të rëndësishme. Këndoja para 10 mijë spektatorëve, e gjeta veten mes më të mirëve. U vura përpara përgjegjësive, sepse duhej të këndoja mirë, por kjo më bëri shumë mirë dhe i kalova etapat shpejt. Nuk m’u desh të ngjisja shkallë të vogla”, u shpreh Mula. / tvklan.al