Një nismë krejt e pazakontë për demokracitë perëndimore u aprovua në Dhomën e Ulët të Kongresit Amerikan, por që ka pak gjasa të aprovohet në Senat, sanksione ndëshkuese ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Nisma ishte e republikanëve të cilët e miratuan atë me një shumicë prej 247 votash, ku gjetën edhe mbështetjen e 42 ligjvënësve demokratë.

Sanksionet kërkohen si ndëshkim pasi prokurorët e kësaj Gjykate kërkojnë që ndaj Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu të lëshohet një urdhër-arrest ndërkombëtar. Netanjahu akuzohet nga prokurorët e Hagës për krime lufte në Rripin e Gazës.

Shtetet e Bashkuara nuk e njohin juridiksionin e kësaj Gjykate, e cila ende nuk ka marrë një vendim për urdhër-arrestin, por paketa e republikanëve parashikon që individëve nga vendet aleate që janë pjesë e saj, kryesisht ato europiane, t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara dhe t’u bllokohen asetet.

Presidenti amerikan Joe Biden është kundër sanksioneve, por edhe kundër një urdhër-arresti ndërkombëtar për Netanjahun.

Ndërkaq, kreu i qeverisë izraelite paralajmëroi se mund të hapë një front të ri lufte me Hezbollahun në Liban, pas sulmeve të tyre me raketa ditë e fundit në veri të Izraelit, ku i vunë flakën zonave pyjore të mbrojtura duke lënduar 11 persona.

Tv Klan