Kjo është rruga e Ura Zapodit-Shishtavec e mbuluar si pasojë e stuhisë së reshjeve të dëborës. Në Qarkun e Kukësit dëbora ka shkaktuar bllokim të përkohshëm të segmentit rrugor Qafë Borje-Doganë. Ndërsa problem mbetet edhe furnizimi me energji elektrike në disa fshatra.
Që në orët e parë të mëngjesit të kësaj të shtune zonat e veriut u përfshinë nga reshjet me intensitet të lartë të dëborës. Reshje të dendura dëbore pati dhe në juglindje ku temperaturat shkuan deri në minus tre gradë celsius.
Në Korçë në zonat malore trashësia e borës në Dardhë ka shkuar deri në 50 centimetër. Dhjetëra fshatra në bashkitë e Pogradecit, Kolonjës dhe Devollit kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të motit të keq. Rrugët që lidhin Vithkuqin me Shtyllën, Lubonjën dhe Panaritin bllokohen herë pas here nga reshjet intensive.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se në tetë akse rrugore kanë qenë të përfshira nga reshjet e dëborës. Mjetet borëpastruese kanë punuar për pastrimin e borës dhe shpërndarjen e kripës pa ndërprerje.
Të gjitha akset rrugore janë të hapura. Autoriteti kërkon që drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet që janë me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
Si pasojë e erës së fortë në Lezhë është rrëzuar pema e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri e vendosur në sheshin “Gjergj Kastrioti” si dhe ka pësuar dëmtime edhe dekori festiv. Probleme ka pasur edhe me furnizimin me energjinë elektrike në disa zona. Punonjës e OSSHE-se po punojnë për riparimin e defekteve.
Ndërkohë stuhia që ka përfshirë vendin solli ndërprerjen e energjisë në zonën e Fushë-Milotit dhe Fushë-Kuqes ku ndodhen dy burimet kryesore të furnizimit me ujë të Qarkut Durrës. Furnizimi me ujë i ndërprerë mbrëmjen e së premtes u rikthye vetëm paraditen e së shtunës.
Tv Klan