Reshjet e borës mbulojnë zonat malore



Reshjet e borës mbulojnë zonat malore

19:10 05/02/2020

Akset kombëtare të kalueshme. Problem zonat e thella

E mërkura ka rikthyer temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës, kryesisht në rajonet e juglindjes dhe verilindjes. Në Dibër dhe Bulqizë, trashësia e dëborës ka arritur në 20 centimetra, ndërsa në zonat e thella mbi 45 centimetra.

Borëpastrueset kanë ndihmuar për të bërë të kalueshme rrugët nacionale Peshkopi-Tiranë dhe Peshkopi-Kukës. Por në disa segmente, si në atë të Kalasë së Dodës, Autoriteti Rrugor Shqiptar rekomandon përdorimin e zinxhirëve.

Në Korçë, zinxhirët janë të detyrueshëm në Qafën e Qarrit dhe në rrugën e Dardhës. Në Librazhd, me zinxhirë kalohet në aksin Lunik-Steblevë, pasi trashësia e borës arrin deri në 25 centimetra.

Një pjesë e rrugëve dytësore në zonat e thella malore janë bllokuar si pasojë e intensitetit më të lartë të reshjeve. Moti i keq ka lënë pa energji disa fshatra të njësisë administrative Çërravë në Pogradec, po ashtu Vithkuqin dhe disa fshatra në fushën e Korçës.

Për shkak të motit të keq në Portin e Durrësit janë pezulluar përkohësisht dy lundrime drejt Barit, planifikuar të niseshin në mbrëmje.

Tv Klan




Të ngjashme