ARRASH njofton akset ku automjetet mund të kalojnë me zinxhir

Reshjet e borës të ditëve të fundit kanë krijuar probleme në qarkullim në disa akse rrugore.

Në qytetin e Peshkopisë trashësia e saj kalon mbi 45 cm ndërsa në zonat e thella varion deri në 70-80 cm. Të gjitha njësitë administrative janë të bllokuara, përveç atyre që janë përgjatë rrugëve nacionale.

Për shkak të situatës së krijuar nga moti i keq, Autoriteti Rrugor Shqiptar u sugjeroi përdoruesve të  mjeteve që kalojnë në segmentet Lunik-Steblevë dhe Krujë-Sarisallitik të pajisen me goma dimri ose zinxhirë.

Meteorologët parashikojnë që situata të përmirësohet në mesin e javës. Drejtuesja e zyrës operacionale të Meteoalb Lajda Porja sqaroi në Klan News se në fund të javës do të kemi rritje të temperaturave.

“Sot priten reshje të pakta shiu në ultësirën perëndimore dhe reshje dëbore në zonat malore. Duke filluar që nga mesdita e ditës së martë presim një përmirësim të ndjeshëm të situatës së reshjeve. Është një situatë jo e zakontë krahasuar me periudhën që ne ndodhemi në stinën e pranverës”, tha ajo.

Reshjet e borës, shoqëruar edhe me erë të fortë kanë vijuar në disa zona të thella të Korçës, ku pati edhe problem me energjinë në rreth 20 fshatra.

Klan News