Përmbytje në Durrës, priten 3 ditë problematike

I gjithë vendi është përfshirë nga reshje shiu të cilat në disa qytete kanë shkaktuar probleme. Në Durrës shumë rrugë janë përmbytur.

Gjendja më e vështirë paraqitet në hyrje të qytetit te Durrësit, pranë rrethrrotullimit, në shëtitoren Taulantia, rrugën paralele me portin por edhe në disa lagje të tjera të qytetit bregdetar.

Kjo situatë ka krijuar vështirësi në lëvizjen e këmbësorëve por edhe trafik të rënduar. Një pjesë e automjeteve kanë pësuar defekte në rrugë për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Sa herë që ka reshje shiu, rrjeti i kanalizimeve nuk mund të përballojë sasinë e madhe të ujit duke shkaktuar përmbytje në rrugë dhe lagje të tëra të Durrësit.

Reshje të shumta shiu ka pasur edhe në Tiranë por nuk janë shkaktuar probleme. Situata më e rëndë në vend me stuhi shiu dhe erë pritet të jetë në tre ditët në vijim. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për shkak të reshjeve me intesitet, në disa qytete pritet të ketë përmbytje.

Nisur nga raportet e Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucionet e saj në varësi, kanë kaluar në gjendje gatishmërie të plotë.

Tv Klan