Sinoptikanët: Do të vijojnë edhe 24 orët e ardhshme

Për më shumë se 24 orë i gjithë vendi është përfshirë nga reshje të dendura të shiut. Intensiteti i tyre ka sjelle probleme në disa akse rrugore. Në Rrugën e Kombit ka patur shkarje gurësh nga faqja e malit, por pa rrezik për drejtuesit e mjeteve.

Shkarje gurësh e inerte ka patur edhe në rrugët Bajram Curri-Valbonë, Bajram Curri-Lekbibaj. Qarkullimi i mjeteve është bërë me vështirësi duke përdorur një korsi në segmente të caktuara.

Prefektura e Shkodrës thotë se është në gatishmëri për të përballuar çdo situatë të krijuar nga përkeqësimi i motit. Në Vlorë është mbledhur Komisioni i Mbrojtjes Civile, për të hartuar planin e masave në rast të krijimit të problematikave nga reshjet e shiut.

Sinoptikanët parashikojnë se intensiteti i reshjeve që ka përfshirë vendin do të jetë i lartë edhe për 24 orët në vijim. Fundjava do të sjell një përmirësim të motit, por sërish shiu do të jetë prezent në zona të veçanta.

Tv Klan