Rritet niveli i prurjeve në lumin e Lanës, përmbyten disa rrugë

Moti i keq me reshje të dendura shiu ka përfshirë sërish gjithë territorin e vendit dhe kryeqytetin që në orët e para të mëngjesit të të Mërkurës.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, Tirana është paralizuar nga trafiku i rënduar i automjeteve

Vështirësi janë shtuar edhe më shumë për shkak të prezencës së ujit në shumë akse dhe kryqëzime.

Thuajse në gjithë qytetin rrugët ishin të bllokuara, ndërsa automjetet pavarësisht angazhimit të policisë qëndruan për disa orë në trafik.

Trafik i rënduar ishte në të gjitha drejtimet e unazës së mesme, por dhe në Unazë të Madhe, në Don Bosko, në rrugën e Kombinat-Kinostudio, në Tiranën e Re, në rrugën e Dibrës, në segmentin hyrës dhe dalës nga Tirana, rruga “Dritan Hoxha”.

Në orët e para të mëngjesit të të Mërkurës, lumi i Lanës, doli nga shtrati, duke përmbytur të dy akset e unazës dhe paralizoi trafikun në këto akse.

Por me uljen e intesiteti të reshjeve lumi u tërhoq sërish në shtratin e tij.

Grupet e emergjencave janë në terren për monitorimin e situatës. Ndërkohë që pritet që kushtet e motit të përmirësohen në orët në vijim dhe sipas autoriteteve edhe pse niveli i prurjeve në lum është rritur, nuk rrezikon të dalë nga shtrati.

Klan News