Restaurohet kulla C Kalasë së Durrësit





Restaurohet kulla C Kalasë së Durrësit

12:05 30/06/2022

U dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit

Përfundoi në Durrës projekti për ringritjen e kullës C të kalasë së Durrësit, e dëmtuar rëndë nga tërmeti i mbi 26 nëntorit të 2 viteve më parë. Restaurimi u mbështet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara. 

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara është krenare që mundi të mbështeste restaurimin e kullës C përmes fondit të ambasadorit të SHBA-së për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe jemi shumë të lumtur, që bashkëpunuam me miqtë tanë të ambasadës suedeze dhe ministrinë shqiptare të Kulturës për këtë sipërmarrje madhore”, tha ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim.

“Ne ishim më të fortë së bashku dhe ishim krenarë që të mund të ishim në partneritet dhe të mund të rindërtonim së bashku. Kështu u rindërtuan tri site të rëndësishme, si Kruja, Preza dhe Durrësi”, u shpreh Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad.

“Një kullë, që dua ta hedh pak si provokim, quhet kulla C. Një emër paksa jo i denjë për të gjithë simbolikën që ka për Durrësin, por le t’ia lëmë në dorë arkeologëve këtë dhe t’i vëmë ndoshta një emër më të mirë, një emër të cilin e meriton”, tha Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Kjo ishte hera e dytë që kulla dëmtohej nga fatkeqësitë natyrore.  Fillimisht ajo u rrënua nga tërmeti i vitit 1273, i cili e shkatërroi thuajse plotësisht qytetin bregdetar. Edhe këtë herë ajo u rindërtua me materialet e rrëzuara prej saj gjatë tërmetit.

Tv Klan













Të ngjashme