Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kristo Kola pronari i një restoranti në zonën e lagunës së Patokut ka folur rreth këtij restoranti të veçantë i cili mund të arrihet vetëm më anije dhe nga ana tjetër lehtësisht mund të kalosh në bregun e detit, rëra e të cilit është në ngjyrë të zezë nga sasia e madhe e jodit.
Kola u shpreh se ka vendosur të ndërtojë restorantin pikërisht në atë zonë sepse sa herë shkonte aty gjente qetësinë.
Kristo Kola: E kam ndërtuar nga hiçi. Këtu ka qenë baticë zbatica, bregu i patave. Këtu ne na lindi ideja të bëjmë restorant, për ata që duan qetësi. Kjo është pjesa e detit ku përfundon laguna. Bregu është plazh dhe rërë deti me shumë jod. Pjesa e plazhi ka ujë pak, po të ecësh në këmbë del. Ka një pëllëmbë ujë.
Blendi Fevziu: Vendos çadra?
Kristo Kola: Po vendosim për turistët, që konsumojnë drekën dhe dalin në plazh pastaj. Janë të gjitha kombësitë dhe është një vend që turistët kanë lënë një përshtypje të mirë. Kam qenë emigrant. Momenti që vija këtu më jepte qetësi të paparë dhe vendosa të bëj një restorant të vogël të sjell njerëzit me varke. Këtu dëgjon vetëm patat dhe rosat e egra.
Gjithashtu edhe kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara ka folur më shumë për breshkat të cilat gjenden në lagunën e Patokut. Ajo thotë që janë të madhësive të ndryshme dhe ato breshka që kapen të gjalla rikthehen sërish në det.
Majlinda Cara: E veçanta e lagunës së Patokut është se prej vitesh po dalin breshka të madhësive të ndryshme dhe këtu prej vitesh bëhet matrikulimi i këtyre breshkave. Kemi një vend që bëhet edhe shërimi i tyre. Ka breshka që bijen në rrjeta që gjenden të matrikulluara. Ka pasur të madhësive të ndryshme, por po të shikojmë përgjatë lagunës restorantet kanë zhgualle për zbukurime, të kapura nga peshkatarët.
Blendi Fevziu: Breshkat që kapen të gjalla kthehen në det?
Majlinda Cara: Po rikthehen në det. Bëhet matrikulimi kur janë të pamatrikuluara./tvklan.al