Bashkimi Europian mund të hapë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sipas një drafti vendimi të bllokut prej 27 shtete anëtare të parë nga Reuters këtë të hënë dhe që pritet të finalizohet këtë javë.

Në një shkrim të nga botuar agjencia e lajmeve thuhet se nëse aprovohet, ashtu siç dhe pritet, marrëveshja do t’i jepte fund vonesës 2-vjeçare dhe do të sinjalizonte një momentum për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbi, Kosovë, Mali i Zi, Shqipëri, Bosnje dhe Maqedonia e Veriut, që kërkojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian.

“Shpresat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u thyen vitin e shkuar pasi Franca dhe Holanda shfaqën skepticizëm sa i përket të dhënave mbi demokracinë dhe luftën kundër korrupsionit në këto vende, të frikësuara nga lejimi i vendeve anëtare të reja, në një kohë kur kohezioni i BE ishte i dëmtuar nga largimi i Britanisë nga blloku. Por Parisi dhe Haga i zbutën qëndrimet e tyre kundërshtuese muajin e shkuar dhe pavarësisht krizës së krijuar nga koronavirusi, planet për të lejuar bisedimet kanë fituar momentum, me Brukselin që kërkon të tregojë vendosmëri për të bërë pjesë të BE, Ballkanin”, shkruan Reuters.

“Nuk mendoj se çfarë po ndodh me koronavirusin do të ndryshojë vendimin e vendeve anëtare“, tha të premten për reporterët, kreu i Politikës së Jashtme të BE, Josep Borrell.

Reuters shkruan më tej se nëse asnjë vend nuk kundërshton, vendimi pritet që të merret formalisht nga ministrat e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian në mesin e kësaj jave, këtë herë me shkrim dhe jo në një takim ballë për ballë, pasi këto të fundit janë pezulluar për shkak të krizës nga koronavirusi.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili bllokoi nisjen e bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin në Tetor, tha në Shkurt se ishte i gatshëm që të lejonte këto vende të nisnin bisedimet për anëtarësim nëse Komisioni Europian do t’i jepte vlerësim pozitiv dhe do të ndryshonte mënyrën e pranimit të vendeve të reja.

Brukseli e bëri këtë të fundit, duke prezantuar një platformë të procesit të zgjerimit në Shkurt, të cilët Franca e mirëpriti./tvklan.al