Revina Selmanllari tregon se ia ka shitur mjetin e saj tip “Ford”në vitin 2014, Agim Mansakut. Shitja është bërë para noterit dhe Revina disponon kontratën e shitblerjes. Por blerësi nuk ka bërë ndryshimin e pronësisë dhe taksat prej 5 vjetësh dalin në emër të Revinës.

Nga Drejtoria e Transportit Rrugor në Kashar dhe nga Policia nuk ka marrë asnjë zgjidhje.

“Më datë 8 Korrik të 2014-s, shes makinën tip Ford tek Agim Mansaku, që është blerësi. Edhe sot e kësaj dite, ai nuk ka ndërruar lejen e qarkullimit dhe të gjitha taksat janë akumuluar në emrin tim. Domethënë, nëse unë duhet të bëj një blerje të re të një makine, më duhet të paraqes këtë noteri, sepse për ndryshe nuk mbaroj dot punë tek targat, sepse më nxjerrin mua debitore”.

“Nga 2014-ta deri më tani ka arritur një shumë mbi 600 mijë lekë të vjetra. Jam drejtuar tek targat, tek Financa, më kanë adresuar tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Rrugore, ku kam takuar dhe drejtorin atje dhe më tha që ne nuk kemi asnjë lloj përgjegjësie dhe duhet të drejtohesh përsëri tek targat. Shkoj tek targat sërish dhe unë, edhe sot e kësaj dite, jam pa asnjë lloj përgjigje, të gjitha detyrimet janë në kurrizin tim… U drejtova tek Stop sepse nuk kam çfarë të bëj më, duke qenë se kam mbi 5 vite që nuk kam gjetur një zgjidhje. Ju lutem më ndihmoni”, tregon qytetarja.

Eksperti Artur Sulçe thotë se nuk ka kuptim që pronarit të mjetit t’i ngarkohen taksat, në një kohë kur ka një kontratë shitblerjeje, të bërë para noterit.

“Mjeti ndryshon pronësinë nëpërmjet aktit të shitblerjes, në momentin që është bërë shitblerja midis palëve, aty mbarojnë detyrimet e shitësit. Ai mund të ketë detyrime, gjoba që ka qenë përpara se të shitet, por edhe kjo mund të vendoset në kontratën e shitblerjes, që nëse i merr përsipër edhe ato që janë (blerësi), pra është një element që zgjidhet atje. Nga momenti që është bërë ky akt i shitblerjes dhe ai është zhveshur nga kjo pronë, nuk ka më detyrime”, shpjegon eksperti.

Pas interesimit të “Stop”, në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor na thanë se do ta çlirojnë nga çdo lloj detyrimi Revina Selmanllarin./tvklan.al