“Dëshmia e triumfit mbi nënshtrimin”

Rreth 750 mijë bunkerë ushtarakë mbinin dikur anembanë Shqipërisë, një vend i vogël ballkanik i Europës Juglindore me sipërfaqe prej vetëm 28 748 kilometrash katrorë.

Kështu e nis artikullin kushtuar bunkerëve të kohës së diktaturës në vendin tonë, revista e njohur amerikan “Wired”.

Dewi Lewis , autor i shkrimit, shpjegon metamorfozën që kanë pësuar këta vendstrehime të luftës. Të ndërtuar nga diktatori Enver Hoxha, i cili besonte se armiqtë mund ta sulmonin nga çasti në çast, fortesat prej betoni u përdorën më pas për të tjera qëllime si për të strehuar bagëtitë, për akomoduar turistët eskursionistë, si salla bilardoje apo qebaptore.

Bunkerizimi i Shqipërisë ishte një sipërmarrje 2,2 miliardë Dollarëshe, e nxitur nga izolimi ekstrem i vendit, vijon artikulli. Bunkerët ngriheshin kudo, në plazhe, fusha dhe rrugë qytetesh anekënd vendit.

Sulmi nga armiqtë nuk erdhi kurrë dhe vendstrehimet e luftës u ripërdorën pas viteve 90’, si “një dëshmi e triumfit popullor mbi shtypjen dhe nënshtrimin”.

Revista amerikane ndalet edhe te kthimi i dy bunkerëve të mëdhenj të nëndheshëm të shndërruar në muze “Bunkart”, duke nënvizuar se njëri prej tyre u dëmtua gjatë ndërtimit nga një grup protestuesish, të cilët e shikonin muzeun si glorifikim të së kaluarës komuniste.

Artikulli i “Wired” u shpërnda në rrjetet sociale edhe nga kryeministri Edi Rama.

Tv Klan