Revistat në Shqipëri me kalimin e viteve kanë pësuar një metamorfozë të madhe. Përveçse kanë sjellë risi në treg, duke u përafruar me rubrikat e revistave të huaja, tashmë mund të quhen dhe konkurrente të denja të tyre.

Fotografia mbetet një element i rëndësishëm, i cili lidhet gjithmonë me një personazh që zë faqen e parë. Lexuesit i shfletojnë revistat sipas të dhënave, më shumë për t’u informuar me tendencat e fundit të modës apo gossip-it.

Gjatë stinës së verës faqet e para janë të ndryshme nga ato të muajve të dimrit, pasi tentohet që të shitet më shumë përmes kopertinave, gjithmonë e më tepër provokuese.

Ndërsa gjatë sezonit dimëror botuesit tentojnë më shumë të orientohen drejt personazheve më të lakuar mediatikisht, për shkak të angazhimeve të tyre. Femrat shesin më shumë tregojnë botuesit dhe për këtë gara për të vendosur në kopertinë personazhet femërore më të kërkuara të momentit është më e madhe.

Disa herë personazhet mund t’i gjesh dhe në dy numra, njëri pas tjetrit, teksa nuk sjellin asgjë të re përveç fotove, të cilat janë të një cilësie maksimale, pavarësisht komenteve që kanë në raport me pozicionet dhe veshjet.

Por sa e lehtë është që të formësohet një revistë gjatë verës, krahasuar me pjesën tjetër të vitit? Këtu botuesit nuk kanë politika të qarta, por sipas një tradite të krijuar në perëndim, faqet e para të revistave pushtohen gjithmonë nga personazhet që janë në qendër të vëmendjes për shkak të profesionit të tyre, gjë e cila në botimet shqiptare nuk është gjithmonë në raport të drejtë.

Për të diskutuar mbi çfarë ofrojnë revistat gjatë stinës së verës në emisionin “Opinion” ishin të ftuar Arian Konomi, Alfred Lela, Iva Tiço, Dalina Buzi, Odeta Male, Armina Mevlani, Fjodora Fjora dhe Aurela Hoxha./tvklan.al