Histori me zhurmues – Revolta në kampin e Qafë Barit ishte një nga ngjarjet e vitit 1984. Nuredin Skrapari dëshmitar okular i kësaj ngjarje ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço. Gjatë emisionit Skrapari tregoi se kjo ishte një ndër revoltat e rëndësishme pas asaj të Burgut të Spaçit.

“Në vitin 1983 na çojnë në kampin e Qafës së Barit, ishim rreth 500 të burgosur politikë të moshës 30-40 vjeç. Me vajtjen tonë rendimeti i punës u rrit shumë. Shumica nga ne kishte bërë 8-10 vjet burg. Unë i kisha bërë mbi 10 vjet vite burg. Kur ata panë që ne punonim shumë filluan një shtrëngim, të cilin e deklaruan edhe verbalisht. Për cilindo të burgosur që nuk bënte normën 4 vagona, do të kthehej nga galeria në mencë, do të hante darkën dhe do të shkonte sërish në punë me turnin pasardhës. Këtë filluan ta bëjnë rregull. Kjo na ra në sy të gjithëve dhe njerëzit mendoninin si ta frenonin pasi ishte e pamundur që të punonin pasi kishin mbyllur turnin. Dhe mes tyre kishin menduar, llogaritë i kishin bërë mirë. Revolta ka ndodhur tek dera. Shoh Sokol Sokolin që ia merr nga dora një djalë i cili nuk kishte plotësuar normën, policit. Mbi ne shikojmë një helikopter me të cilin kishte ardhur Zyliftar Ramizi, zëvendësministri i brendshëm. Ai hipi mbi një taracë dhe kishte edhe përforcime. Një polici që siç duket nuk i mbajtën nervat qëlloi një të burgosur, një pjesëtar i grupit thirri: Poshtë komunizmi. Dhe të gjithë të burgosurit sikur morën vetëkomandë  dhe kanë përplasur këmbët dhe tundën tokën. Një pjesë hyri brenda dhe një pjesë qëndruan në vend. Ndër ta ishte Sokol Sokoli, Nue Toma, Lush Bushgjokën, etj, etj. Ne që hymë brenda ndoqëm nga dritarja ngjarjen. Ata u dorëzuan, kampi ishte i rrethuar dhe nuk kishin nga shkonin. Policët u sollën shumë egër me ta, i goditën me bishta kazmash e lopatash dhe i hodhën si thasë nëpër makina. Gjyqi i tyre u për një kohë shumë të shkurtër dhe morëm vesh më vonë që u pushkatuan. Dy ditë më vonë na mblodhën të gjithëve dhe erdhën me një listë dhe filloi druri. Nisën të më godisnin me bisht lopate, por kisha një peliçe të mirë dhe më mbrojti. Por dikush tha që t’më godasin me bisht kazme, më goditën dhe ndjeva dhimbje, më thyen brinjën. Filluan me grushta me shkelma, nuk e di sa zgjati, por unë përfundova në kolaps pa tension. Unë isha më rëndë nga të gjithë dhe kërkuan që të shkoja në spital. Kështu u mbyll kjo revoltë me gjak dhe me hekur. Revolta e dytë e të burgosurve politikë”,tha Nuredin Skrapari.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv