Raportim Live

Ambasada Amerikane: Ndal veprimeve të dhunshme, të protestohet në mënyrë paqësore

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë thirrje që të protestohet në mënyrë paqësore.

Në njoftimin e Ambasadës, saktësohet se dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve e shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar. Përsëritet thirrja për të protestuar paqësisht. “Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme.

U bëjmë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-ve.

Pas përballjes frontale, mbyllet protesta e pestë kundër qeverisë

Një përballje frontale ka ndodhur gjatë protestës së pestë të dhunshme të protestuesve me policinë.

Protestuesit godisnin me gurë dhe molotovë në drejtim të efektivëve, ndërsa këta të fundit hidhnin gaz lotsjellës.

Pas përballjes së dhunshme të shënuar përpara Kryeministrisë, policia ka ndjekur protestuesit nëpër lagjet e Tiranës, për t’i shoqëruar.

Kështu u mbyll edhe protesta e pestë ndaj qeverisë.

download app

Policia ndjek protestuesit në rrugët e Tiranës

Situata tanimë duket më e qetë. Policia po ndjek protestuesit nëpër rrugët e Tiranës.

Efektivët kanë shoqëruar disa prej protestuesve, mes të cilëve edhe të mitur.

Ministrja Spahiu viziton policët e plagosur tek Trauma

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka vizituar Spitalin Universitar të Traumës, ku po marrin trajtim mjekësor dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit dhe protestues të lënduar gjatë protestave.

Përmes një mesazhi, ministrja ka shprehur mirënjohjen për ekipet mjekësore, mjekët dhe infermierët, të cilët gjatë pesë ditëve të fundit kanë qenë në krye të detyrës pa ndërprerje, duke ofruar ndihmë për të gjithë personat e lënduar.

Spahiu ka vlerësuar punën e personelit shëndetësor, duke theksuar se kujdesi mjekësor u është ofruar të gjithëve pa dallim, pavarësisht nëse bëhet fjalë për efektivë policie apo protestues.

“Shëndeti dhe jeta e çdo qytetari janë mbi gjithçka!”, është mesazhi i ministres, e cila ka vënë në pah rëndësinë e trajtimit të çdo të lënduari dhe angazhimin e ekipeve mjekësore gjatë ditëve të protestave.

Vizita në Spitalin Universitar të Traumës vjen në një kohë kur dhjetëra persona kanë pasur nevojë për kujdes shëndetësor pas lëndimeve të pësuara gjatë protestave. Ministrja ka vlerësuar angazhimin e mjekëve dhe infermierëve, të cilët kanë vijuar punën për t’u ardhur në ndihmë të gjithë personave që kanë kërkuar trajtim mjekësor.

PS publikon pamjet: Zjarrit te Gjykata e Lartë i parapriu Sali Berisha

Partia Socialiste e Shqipërisë përmes një postimi në rrjetet sociale ka publikuar pamje nga flakët në Gjykatën e Lartë.

Sipas PS-së, flakët në GJL i ka paraprirë Sali Berisha.

“Flakët mbi Gjykatën e Lartë i parapriu Sali Berisha, që sulmoi gjyqtarët që dhanë masa mbi dhunuesit e ligjit”, thuhet në faqen e PS-së.

Gogu reagon pas zjarrit në Gjykatën e Lartë

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas ngjarjeve të mbrëmjes, ku flakët prekën Gjykatën e Lartë, ndërsa sipas informacioneve të raportuara u dëmtua edhe hyrja e Bankës së Shqipërisë.

“Dy institucione të pavarura. Asnjëri nuk është zyrë e qeverisë. Të dy i shërbejnë vendit dhe qytetarëve”, theksoi Gogu.

Ministri dënoi aktet e dhunës, duke bërë një dallim të qartë mes protestës dhe dëmtimit të institucioneve.

“Edhe ata që protestojnë, edhe ata që janë të zemëruar me qeverinë, kanë të njëjtën të drejtë për drejtësi. Protesta është një e drejtë. Dhuna nuk është protestë”, u shpreh ai.

Gogu falënderoi zjarrfikësit, shprehu solidaritetin me gjyqtarët dhe punonjësit e Gjykatës së Lartë dhe konfirmoi gatishmërinë e Ministrisë së Drejtësisë për të ofruar mbështetje brenda kompetencave ligjore, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.

“Njerëzit nuk duhet të paguajnë çmimin e dhunës. Dera e drejtësisë duhet të mbetet e hapur për të gjithë”, përfundoi ministri.

Efektivi që pësoi djegie merr mjekim në QSUT

Një efektiv mori flakë sot gjatë protestës përballë Kryeministrisë, gjatë përleshjes me protestuesit.

Kolegët e tij e ndihmuan, për të shuar zjarrin, që u bë i frikshëm.

Përpos tij, edhe një tjetër efektiv ndodhet në QSUT. Gjithashtu, 2 protestues po marrin mjekim në Qendrën Spitalore Universitare. Gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar.

Si nëpër filma| Makina e policisë ‘plumb’ drejt protestuesit, i riu arratiset

Një skenë e pazakontë është shënuar në protestën e sotme kundër qeverisë.

Siç shikohet në pamje, protestuesi ka gjuajtur me fishekzjarre makinën e policisë.

Pas kësaj, automjeti i policisë ka ndjekur protestuesin, që për pak e përplas. Protestuesi pas kësaj arratiset.

Protestuesi ra pa ndjenja në bulevard, QSUT: Është i vetëdijshëm

Mjeku i Urgjencës Kombëtare në QSUT Euglert Karriqi ka dhënë informacion në lidhje me gjendjen e pacientit Stavros Kodra, të cilit i ra të fikët gjatë protestës në bulevard.

Mjeku shprehet se pacienti është i vetëdijshëm.

“Pacienti është i vetëdijshëm, pa deficite neurologjike dhe me parametra jetësorë të qëndrueshëm. Aktualisht ndodhet nën monitorim mjekësor, po merr trajtim mbështetës dhe po i nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme”, deklaroi doktori.

Prononcimi i mjekut u publikua në rrjetet sociale nga ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu.  

34 të lënduar në protestë, 19 në QSUT

Deri në orën 19:15 të datës 17 tetor 2026, në SUT janë paraqitur gjithsej 34 persona të lënduar gjatë protestës.

Sipas të dhënave, 17 prej tyre janë efektivë policie, 15 protestues dhe 2 kalimtarë. Në QSUT janë paraqitur 4 persona, mes tyre 2 efektivë policie dhe 2 protestues.

Gjendja shëndetësore e të gjithë të lënduarve paraqitet e mirë.