Revoltat kundër regjimit të Ajatollahëve në Iran kanë marrë përmasa masive janë shtrirë në gjithë vendin, përfshirë Teheranin. Në qytetin Dorud janë shënuar edhe 2 viktimat e para të protestave masive, që kanë hyrë në ditën e katërt.

Mediat ndërkombëtare fajësojnë forcat e policisë se qëlluan me armë ndaj turmave. Por qeveria e mohon dhe thotë se në revolta janë infiltruar agjentë të huaj.

Këto pamje shfaqin momentet kur manifestuesit i venë flakën një rajoni policie në Arak. Ndërtesa të administratës shtetërore janë djegur edhe në qytete të tjera.

Komandanti i gardës revolucionare, njësive elitare të ushtrisë vendase paralajmëroi organizatorët e protestave se do të përballen me grusht të hekurt, nëse protestat vijojnë.

Zyrtarët e lartë iranianë akuzojnë vendet sunite arabe si organizatorë të traziarave. Sipas tyre, motivet e vërteta të protestave nuk janë çmimet e larta e papunësia, por vendet e rajonit po bëjnë përpjekje për të rrëzuar Republikën Islamike Iraniane.

Për qeverinë e Teheranit, deklarat e presidentit Tramp se “populli iranian kërkon liri” janë oportuniste dhe pa asnjë vlerë. 

Tv Klan